Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj deklaroi të martën se ditë të mira po i vijnë Kosovës, duke parë se shumë të rinj që po përkrahin kandidatët e rinj në lista, kandidatin më serioz dhe më të përkushtuar Besnik Tahirin ne po krijojmë një rrugë të mirë me traditë të mirë.
Ai këto komente i bëri në një tubim elektoral në Prishtinë.
“Në takime si kjo nderohet votuesi, e kështu që Besniku që në fillim garën e ka nisë me seriozitet funksionin e tij, duke ndërtuar marrëdhëniet e mira në mes politikes dhe qytetarit, nuk ka asgjë më të vlefshme se respekti njerëzor e kjo ndihmon që parametrat e këqij të qeverisjes dhe menaxhimit nga qeverisja qendrore dhe lokale të ndryshojnë”, tha Haradinaj.
Ndërsa, Besnik Tahiri tha se jeta publike dhe politike në Kosovë për shumicën prej nesh është tejet e vrazhdë dhe shpeshherë na duket vetja të pafuqishëm për ti bërë ballë.
“Një pjesë e madhe e të rinjve të Prishtinës si mundësi më të lehtë e kanë parë tërheqjen, madje një pjesë tjetër ka rënë në apati. Vendin tonë, qytetin e Prishtinës të gjithë së bashku aq sa e kemi barrë duhet ta kemi edhe një motiv shtesë. Andaj asnjëri prej nesh, duke përfshirë edhe veten time nuk mund t’iu ikim përgjegjësive, por edhe ballafaqimeve qofshin ato edhe të vështira për t’i përballuar”, tha ai.
Ai tha se kanë dizajnuar një udhërrëfyes për Prishtinën që do të ketë një qasje të përfaqësimit kualitativ të të rinjve në jetën shoqërore, si në edukim të lartë, punësim dhe mbi të gjitha ndikim në procesin e vendimmarrjes.
“Ne besojmë në idenë, vizionin dhe qëllimin tonë, për ti sjellë ndryshimin Prishtinës”, tha ai.
Ndërkaq kandidatja për Asamble Komunale Rita Begolli, theksoi se garat e vërteta nxjerrin më të mirët.
“Jam në këtë garë ngase kandidati për Kryetar Besnik Tahiri, përfaqëson më së miri vizionit aleancist për kryeqytetin e Kosovës, që me të drejt të gjithë besojmë në fitoren e tij si njëri prej më të sprovuarve në këtë fushë si ekspertit i pushtetit lokal i vetëm në garë për kryetar komunash”, tha ajo.