Zgjedhjet lokale në Kosovë kanë krijuar një hartë të re politike, nëse merren parasysh fitoret e kandidatëve për kryetar në secilën komunë veç e veç. Përmbysjet më të mëdha kanë ndodhur në Prishtinë, Gjakovë, Ferizaj, Mitrovicë të jugut, Pejë, Gjilan, Lipjan e Malishevë.
Partia Demokratike e Kosovës, me kandidatët e saj për kryetar, ka fituar në 10 Komuna. PDK ka arritur të ruaj udhëheqjen në Prizren, Skenderaj, Rahovec, Drenas, Klinë, Kamenicë, Vushtrri, Kaçanik, Dragash dhe Shtime. Megjithatë, PDK humbi edhe në qytete të mëdha dhe të rëndësishme si në Mitrovicën e Jugut, në Lipjan, në Malishevë, në Ferizaj dhe Gjilan, shkruan “Evropa e Lirë”.
Lidhja Demokratike e Kosovës, pas 14 vjet ka humbur Prishtinën, kryeqytetin dhe qytetin me numrin më të madh të votuesve,ndërkaq në nivel të vendit, LDK ka shënuar një rikthim dhe ka fituar në 9 komuna. Kështu, LDK do të ketë sërish nën udhëheqje, Gjilanin, ka kthyer Pejën, ka ruajtur primatin në Istog, në Podujevë, Fushë Kosovë, Suharekë, Viti, si dhe ka rimarrë Lipjanin e Ferizajn.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, në nivel vendi ka marrë mjaftë shumë vota, por ka humbur dy qytete të rëndësishme, Pejën dhe Gjakovën në rajonin e Dukagjinit. AAK ka arritur të fitojë në 3 komuna, në Deçan, Junik dhe Obiliq.
Aleanca Kosova e Re më në fund ka arritur të marrë nën udhëheqje 2 komuna shumë të rëndësishme, Gjakovën dhe Mitrovicën e jugut.
Ndërkaq, Lëvizja Vetëvendosje, arriti të fitojë në Prishtinë me kandidatin e saj, Shpend Ahmeti, ndërkohë që nuk mori ndonjë përkrahje në qytetet tjera.
Iniciativa Qytetare Serbe e njohur edhe si “Lista srpska” e sponsorizuar nga Beogradi, ka arritur që të merr pushtetin në 9 komuna të Kosovës. Shtrirja e këtij subjekti politik fillon nga Leposaviqi, Zubin Potoku, Zveçani, Mitrovica e veriut, Graçanica, Novobërda, Kllokoti, Parteshi e Ranillugu.
Një komunë me shumicë serbe ka fituar Partia Liberale Serbe, përkatësisht në Shtërpcë.
Iniciativa Qytetare për Malishevë, ka arritur t’ia marrë nga duart qeverisjen PDK-së, për mandatin e ardhshëm në Malishevë.
Kurse një kandidat i pavarur, Refki Suma, ka arritur të rikonfirmojë pushtetin e tij në Han të Elezit,edhe KDTP, nga komuniteti turk ka konfirmuar fitoren në Mamushë.
Ndërkohë, nëse merren parasysh përqindjet në nivel të vendit sipas votave që kanë marrë subjektet politike për asambletë komunale, del se PDK-ja është e parë, e pasuar nga LDK-ja, dhe më pas vijnë AAK, Vetëvendosje dhe AKR-ja.