Murat Jashari rrëfen..Në një mbrëmje Korriku 1998, Udhëheqësit e Drejtorisë Politike të UÇK-së, Hashim Thaçi (Gjarpëri) dhe Kadri Veseli (Luli), kanë udhëtuar me një xhip, për Kleçkë. Me të zbritur nga xhipi kërkojnë nga K.S. t’ua sjellin dy të marrunit peng, të burgosurit, me shprehjen „ata dy spiunët“.
Përgjegjësi i burgut atë natë i thotë Gjarpërit: „Zotri Suprem, këta të dy nuk janë spiunë. Njëri prej tyre është Sekretar i Komitetit Drejtues të Lëvizjes Popullore të Kosovës“. Mirëpo Gjarpëri, luftëtarit të lirisë i thotë: „Silli, silli këtu se unë e di se çfarë janë e kush janë ata, por m’i sill këtu“. E luftëtari u detyrua ta zbatonte urdhërin e supremit – të komandantit politiko-ushtarak. Pas pak, të dy „spiunët“ i sjellin duar lidhur dhe ua dorëzojnë Hashim Thaçit e Kadri Veselit. Ata i hypin në xhip ngadalë, ashtu të rraskapitur e duar lidhur! Se ku i çuan atë natë të errët, kush e vrau njërin e kush tjetrin, nuk dihet, por shumë shpejt do të tregojë e shenjta Kohë.
Letra Nr. 2 e shenjtë! „shkrime-kujtime-testament“.
NGA KUJTIMET E MIA: SI U PRITA NGA SHOKËT E LUFTËS NË KOSOVË!
(Në përvjetorin e zhdukjes pa shenj pa dok të Behajdin Allaqit dhe Shaban Rexhep Shalës!).
-Në një mbrëmje Korriku 1998, Udhëheqësit e Drejtorisë Politike të UÇK-së, Hashim Thaçi, “Gjarpëri” dhe Kadri Veseli “Luli”, kanë udhëtuar me një xhip, për Kleçkë. Me të zbritur nga xhipi kërkojnë nga K.S. t’ua sjellin dy të kapurit peng, -të burgosurit, me shprehjen „ata dy spiunët“. Përgjegjësi i burgut atë natë i thotë “Gjarprit”: „Zotëri Suprem, këta të dy nuk janë spiunë. Njëri prej tyre është Sekretar i Komitetit Drejtues të Lëvizjes Popullore të Kosovës“. –Mirëpo, “Gjarpri”, luftëtarit të lirisë i thotë: „Silli, silli këtu, se unë e di se çfarë janë e kush janë ata, por m’i sill këtu !“. E, luftëtari u detyrua ta zbatonte urdhrin e supremit – të komandantit politiko-ushtarak. Pas pak, të dy „spiunët“ i sjellin duar lidhur dhe ua dorëzojnë Hashim Thaçit e Kadri Veselit. Ata, i hipin në xhip ngadalë, ashtu të rraskapitur e duar lidhur! Se ku i çuan atë natë të errët, kush e vrau njërin e kush tjetrin, nuk dihet, -por, shumë shpejt do të tregojë e shenjta Kohë!
* * *
(…)
Në mëngjesin e ditës së premte, të 14 janarit 2000, mbas 15 viteve në mërgim, si rezultat i Luftës Çlirimtare të popullit shqiptar në Kosovë, me në krye UÇK-në, dhe gjakun e derdhur të mbi 2300 luftëtarëve të lirisë, – dëshmorëve të kombit, unë së bashku me gruan shkelëm në tokën e lirë të Kosovës.
Autobusi na la te restorant “Theranda” në Prizren.
I telefonova “Mixhës”, (Muharrem Dinës). -Shpejt vjen djali e ju merr, m’u përgjigj, Mixha. Nuk kaluan as një çerek ore, arriti i zoti, i shpejti, trimi si i ati; djali i Mixhës. Ndërkohë, Mixha kishte lajmëruar shokët e Këshillit Popullor të LPK-së për Prizren e Rahovec dhe ishin bërë tok në shtëpi të Mixhës.
-U përshëndeta me të gjithë me përqafime, me dashuri e me përmallime!
-Dhe pa humbur kohë, ju drejtova Mixhës:
“Si bre Mixhë, a kështu i kemi pasur fjalët a?
Unë, e di që burrat kanë thënë : -Për popull e Atdhe jetën kemi me dhënë!
Çka u bë? Pse armët e lirisë i dorëzuat te miku i shkjaut? A mos vallë sorra ua hëngri trutë?!
3.
-Ku janë armët, që atdhetarët nga Zvicra e vendet e tjera të Evropës dhe SHBA-së, pa kurrfarë frike i sollën në tokën e shenjtë në Kosovë?
-Ka pas armë që edhe me disa shokë të tjerë i keni bartë nga Zvicra për në Kosovë, qysh prej vitit 1987. Dhe, këto armatime ia keni dorëzuar Behajdin Allaqit? Apo ke harruar Mixhë?
-A din ndonjëri prej jush të më tregoj për Behajdinin, si shok të ilegales që e keni pasur, të kohërave më të rrezikshme e të sakrificës „Ku e keni shokun e ilegales, të madhin Behajdin Allaqin, anëtarin e Komitetit Drejues të LPK-së dhe Sekretar ndërlidhës të Këshillave të Rretheve?!
-Pse Mixho dhe ju të tjerët, edhe pas një viti e gjysmë, nuk ia dini se ku pushojnë eshtrat e tij. Nuk e dini ku e ka varrin, që ta përkujtoni, së paku një herë në vit, e ti dërgoni lulëkuqe të freskëta Kosove! Pse keni heshtur deri më tani dhe, me sa po shoh në sytë tuaj, edhe në të ardhmen keni për të heshtur! Mos veproni kështu shokë, sepse kjo heshtje nuk ju bën nder as juve dhe as luftës, as të rënëve për liri dhe as atyre që janë vrarë pabesisht pas shpine.
-Mixho dhe ju të tjerë, kësaj heshtje nuk i thonë burrëri por ligështi.
-Ushtarët e lirisë këtë gjendje shpirtërore nuk duhet me e pranua. Ata që janë betuar një herë për popull e Atdhe, dhe ribetuar me Emblemën e të shenjtës UÇK, nuk duhet të heshtin e të mendojnë çka po u sjell e nesërmja. Por duhet vetë ta sjellin të nesërmen. Mixho dhe ju të tjerët, kjo heshtja e juaj deri më tani nuk është burrnore e as njerëzore. Të humbet shoku ma i mirë dhe të heshtni, nuk është diç normale. Jo, jo, Mixho”!-Mixhë, i thashë më pas, a ka mundësi të ma lajmëroni bashkëluftëtarin e Komandant Kumanovës, Haxhi Shalën, që në luftë e kishte pseudonimin “Topi” , -të vijë këtu e t´ më shoqëroj, se dua ta vizitoj Shtabin e TMK-së në Prizren”. Pa kaluar një orë, erdhi “Topi”. Edhe një orë e gjashtë minuta ndejtëm në konak te Mixha.
4.
-Tani, po ndërroj konak. Gruan e çuam te familja e “Topit”, ne shkuam te Shtabi i TMK-së së Prizrenit.
Edhe këtu, na pritën shumë mirë dhe na bënë shumë muhabet.
Të nesërmen ishte përvjetori i parë në Reçak. Pra ishte 15 Janar 2000 (ditë e martë). Me “Topin” shkuam te varrezat në Reçak. Aty, takova shumë shokë të mërgatës. Takova edhe Ali Reshanin. Pasi u krye nderimi dhe përkujtimi i të masakruarve, Ali Reshani nguli këmbë që të shkojmë tek shtëpia e tij.
U vendos me shkua e me e vazhdua bisedën te shtëpia e Aliut.
«Prina Daja Ali»!
-Motrat e kishin mësuar se, unë me gjithë gruan kemi ardhur në Kosovë.
Mbas tri ditëve më treguan se janë te baca Isak Krasniqi, në Tërpezë.
Me Topin shkuam dhe i gjetëm motrat e mia shumë të dashura.
U përqafuam përmallshëm. Kishim një periudhë gati 15 vjeçare pa u parë. Përmallimi ishte edhe më i madh, sepse na mungonte vëllai ynë, Ismeti; pavarësisht, se ishim krenarë që ishim vëllezërit dhe motrat e tij.
Nga Tërpeza kaluam drejt në odën e Xhelë Shalës, në Banjë.
Këtu u bëmë më shumë kumanovarë. Kishte ardhur vëllai Xhemali me djalin Nderimin, kushëriri me djalë, dy dhëndurët e babës e të nënës, dhe tri motrat.
Muhabet e nderime (sajdisje) – sikundër thonë te na në Kumanovë; “ deri në gjunjë”.!
Rreth orës 03.00 të mëngjesit shumicën i mori gjumi. Ndërsa, zgjuar mbetëm unë, “Çeliku”, Xhemali, Fatmir Shurdha, Topi, Shpëtimi dhe kushëriri im, Nafiu me djalë.
(Në pyetësorin për Fatmir Limajn, çka më tha dhe çka i thashë, tashmë janë bërë publike.)
-Të nesërmen, më 16 Janar 2000 (e mërkurë), -dikur nga pasditja, dolëm në vendin historik, në Kleçkë.
Vizituam ato shtëpi të shenjta dhe historike.
Kam harruar “Çelikun” me pyet se, ku ka qenë Burgu i SHP të UÇK-së?!
Vizituam dhe qëndruam në Odën e Madhe, – dhe atë të Voglën, -prej ku Jakup Krasniqi u paraqit me Deklaratën e parë si zëdhënës i UÇK-së.
Shaljanët, e sidomos Skënderi, fort pritje të madhe vëllazërore na kanë bërë.
5.
Në mbrëmje na u dha rasti me shkua e me i bë homazhe dëshmorëve të kombit, të varrosur ndër do lisa. “Topi” më tha: ”Ja, ky është varri i “Komandant Kumanovës”, -këtu e kanë varrosur më 2 dhjetor 1998 , -ditë e mërkurë” .
-U ofrova me gruan dhe nuk dija çfarë t’i them vëllait.
-Kisha shumë për t’i thënë, por s’e kisha ende të qartë se çka do t’i them.
-U ula “kaçipupa”-në gjunj.
I çova të fala (selam) shpirtit të tij me katër lutje ( dovë), të cilat i di që kur kam qenë 8 vjeç, -bëra amin dhe u ngrita në këmbë.
Prej aty shkuam në Banjë, në Odë të Bacit Xhelë. Nuk munda më të qëndroja. U dorëzova. Më mundi pagjumësia. Aty ka ora 23.46 minuta kam rënë me fjetur, sepse të ndermen kisha planifikuar me u takuar me Kryeministrin Hashim Thaçi, “Gjarprin”, me Ministrin e Financave të Qeverisë së Përkohshme, Adem Grabovcin dhe me “Lulin”, Kadri Veselin.
Mëngjesi i ditës së enjte i 17 janarit 2000 m´u duk se erdhi shpejt.
-Kjo ditë ishte e shenjt për mua, sepse është ditë përkujtimi për heroin tonë Kombëtar Gjergj Kastriotin-Skënderbeun, si dhe për tre heronjtë e popullit: Jusuf, Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka.
-Patjetër, doja të takohesha me Hashimin në Prishtinë, -sepse më kishte mbetur pikë në zemër, qysh kur isha në burg.
Kur isha në burg, gruaja më vinte çdo të mërkurë për vizitë, dhe vazhdimisht më thoshte: “Hashimi po e nënshkruan kapitullimin”!…
Unë, të shkretës grua nuk i besoja fare, por i besoja Hashimit dhe më vonë u kuptua se fjala e saj doli më se e vërtetë. Më vinte inati,-si gruaja me qenë më e mençur se unë! Dhe, prej atij momenti kam vendos që gratë t’i respektojë për mençurinë e tyre.
Hyja te objekti ku ishte alamet qeveria. Pas pak i është bërë me dije “Çelikut” se u takova me të ballëpërballë në korridor. Ndërkohë, kaloi Kryesupremi Hashim. Më përshëndeti dhe duke më dhënë dorën dhe tha: “Nuk vonohem shumë, kthehna përsëri”.-Hymë në një zyrë të madhe, u ulëm. Nuk vonoi shumë, ja, arriti edhe Kryeministri. Përsëri më përshëndeti për dore dhe pyeti: Kur ke ardhur?Ulu, – i thashë – t’i ndërrojmë nja dy – tri fjalë.
6.
U ulë. Nuk vonoi dhe një vajzë 16-17 vjeçare, “me mini “ -fustan të shkurtër të shkurtër, na solli kafe me ujë të pusit, në gotë.
“O Hashim, për hajr qeveria! – i thashë, dhe vazhdova – Si u bë që UNMIK-u, miqtë e Serbisë, me ju dhënë ultimatum që në fund të muajit me ua dorëzuar çelësat. -Kështu e ka, kur nuk respektohet dhe anashkalohet faktori i brendshëm, populli liridashës e shumë i vuajtur e i përvëluar prej pushtuesve e prej sojit të vet”!…
-Hashimi, nuk priti me krye muhabetin, më tha: “Më fal Bac, se Buja, (i madhi e i trashi) -po më presin, se kam adalet mbledhje me ata të pushtetit lokal. Sa i takon luftës e ushtrisë, fol me Fatmirin, ky është zv/ministër i Mbrojtjes dhe ta shpjegon ma mirë, se vallahi mos me shkua tek Buja, nuk bën – më tha Hashimi dhe u ngrit.”!!!
-Hajt, shko, se edhe unë nuk kam kohë ma shumë me ndenjur këtu. Ndërsa, ndër veti – në heshtje- thashë: “Shko e mos u kthefsh kurrë më, sa më larg tokës së shenjtë shqiptare aq më mirë, se pa ty shqiptarët janë shqiptarë, krenarë e me dinjitet”!!!
-Qëndrova edhe pak kohë dhe dola, se mendjen e kisha te Ministri i Financave Adem Grabovci.
Më shoqëronin vetëm dy ushtarë lirie.
Derisa ushtarët shkuan me kërkua A.Grabovcin; – unë, u ula në një lokal para Shtabit të TMK-së (në podrum). Ishte lokal i dy vëllezërve nga Besiana, të cilët shpejt e kuptuan se kush jam dhe bënë shumë muhabet. Ata dy ushtarët e lirisë e kishin gjet Adem Grabovcin. Ademi, kur më pa u turr me më marrë ngrykë. I thashë: “Mos provo të më përqafosh, sepse, qafa, duart dhe tërë trupi im janë të shenjta”.
Ulu aty ku je dhe dëgjo njëherë:
“Adem, – i thashë; një kohë kemi qenë shokë ideali, tani kanë ndryshuar punët për të keq, si për popullin ashtu edhe për juve paska filluar tatëpjeta. O Adem, Fondi i shenjtë «Vendlindja Thërret» mos vallë është i yti, i babës apo miras; që gruaja ta ka pru në çezë?! Ku e keni marrë atë të drejtë me ia ndërrua emrin Fondit të Shenjt të UÇK-së, o Adem”?!!!
“Paj bac, po vallahi bac u desht”…, belbëzonte, -nuk i përfundonte fjalët kurrsesi…
7.
-“Mirë, bre Adem! – Peja jote është çlirua, por me këtë Fondin e Kosovës pse luani? Pse po luani me paret e shenjta të këtij populli? Çfarë geni e gjaku keni, bre? Kështu si po veproni, nuk keni gjak t´shqiptarit, jo! Bile, as të maxhupit – Jo!…Hajt Adem, hajt, shko bëj biznes, se t´ka ardhë vakti me bë qejfe, biznese e pashallëqe”!!!. -Shkoi dhe nuk e lashë të më përshëndet.
-Dola dhe u nisa me shkua te “Luli” (Kadri Veseli), me ja kthyer vizitën. Këta ushtarët e lirisë, krejt hyrje daljet i kishin ditë. Në rrugë e sipër u ndal një xhip para nesh, nja 16 m. larg. Një burrë i gjatë u drejtua prej meje. Kur po shohë, ishte Shaip Muja! O, Bac! A paske dalë me na pa, a!?
-“Po, mor bacës, erdha se më ka marrë malli me ju pa, -sa këtë borën e sivjetme Po, çka janë gjithë këto “çina” (grada) -që po të rëndojnë, o Shaip Muja!? Prej kur je bërë Nënkolonel pa qenë asnjë ditë në luftë, e pa dhënë betimin si ushtar lirie? Haj medet haj! Po, çka u bë me ato medikamente që t’i sillnim me kamion në çdo 3-4 javë, a i shite apo çka iu bëre, o Shaip? Më treguan se atje poshtë e kishit bërë një restorant të madh. Qysh po duket, Fondi „Vendlidja Thërret“ gjysmën e Prishtinës e paska blerë! Hajt Shaip hajt, këtë xhip s’e ka as kryetari i Zvicrës…! Mjerë populli e mjerë Kosova, në krye me ju”!!!
– Iku, po as dorën nuk ia dhashë!
Pas pak arrita te “Luli”.
Ata dy ushtarët e lirisë mbetën te dera jashtë, ndërsa unë hyra në atë far ndërtese në katin e parë, ku kishte zyrën e tij “Luli” si shef i Shërbimit të Fshehtë të Kosovës (SHIK) . Në korridor kishin qenë tre të rij; atij të parit që e kisha më afër i thash se jam filani. Ai i treti dëgjoi dhe hyri brenda në zyrën e Kadriut me i thënë se ka ardhur dikush me iu takuar. Kur doli nga zyra më tha se shefi është i zënë, duhet me prit pak! Eja pas meje -më tha, dhe më çoi në një skutë ku i mbushin bateritë e telefonave. Më ofroi një karrige druri të çarë dhe shkoi te vendi i vet. U lodha duke pritur, gati 1.46 minuta, dhe kur u bënë 2 orë e 6 minuta erdhi ai djali i ri, (me flokë krejt të rruara), e më tha: “Eja mbas meje”!
-Kur hyra, “Luli” kishte qenë duke biseduar me dikë, -dhe, mbaj mend se atij i tha: “Të më falësh, se më ka ardhur një njeri i madh”! Doli prej asaj si byroje ku ishte dhe ma zgjati dorën duke më uruar mirëseardhje në Kosovën e lirë. Bashkë me “Lulin” ishin edhe dy-tre veta. Vetëm Ekrem Jasharin e njoha. Pas 5-6 minutash hyri Elezi i 1985-ës, Elmi Reçica, Halit Naxhaku dhe Isa Demiri.
8
-Sa filluam të pyesim njëri – tjetrin, për t´u futur në muhabet, cingëroi telefoni, u lajmëruan G2 (SHIK-at) e pasluftës, i treguan shefit se, diku në kufi i kanë zënë 20 cisterna me karburant. Kadri Veseli, pasi mbaroi bisedën në telefon, tha: “Me këtë rast del edhe për Bacën diçka”!
-U pa se nuk kishte atmosferë për bisedë, u përshëndetëm ashtu si mundëm dhe “Lulin” nuk e kam parë më, gjer më 25 Gusht 2008 (e hënë), kur isha te varrezat e dëshmorëve në Kleçkë.
***
-Më 23 Janar 2000 në mbrëmje, Jonuz Musliut ia dhamë një thes me emblema të UÇPMB-së dhe u nis me mision në Kosovën Lindore, kur UÇPMB-ja, po bëhej gati për luftë; -ndërsa, më 24 Janar Haxhi Shala –“Topi” , mua dhe gruan time na përcolli deri në kufi me Shqipërinë për t´u kthyer nga Tirana në Zvicër, sepse i kishim biletat kthyese të aeroplanit nga Tirana për në Cyrih, për datën 25 Janar. Për shkak të borës së madhe nuk shkuam më tutje, dhe u detyruam të ktheheshim përsëri në Prishtinë. Të nesërmen më 25 Janar udhëtuam me aeroplan nga Prishtina në Rinas (Tiranë), dhe biletat i pagoi Shtabi i TMK-së. Meqë nuk arritëm me kohë në Rinas, fluturimi për Cyrih dështoi, na duheshin edhe 200 DM shtesë për biletën e “djegur”, -ato pare, nuk i kisha. Në Tiranë, takova një veprimtar, Hamëz Morinën dhe pasi ia tregova hallin tim, më siguroi se ato para do t’i gjejë diku. E mbajti fjalën. 200 DM i kishte marrë te Gani Thaçi (vëllai i Hashim Thaçit) i cili në Tiranë e kishte hapur një argjendari! Biletat i siguruam dhe më 26 Janar 2000 (e mërkurë) nga Rinasi fluturuam për në Cyrih të Zvicrës.(Arkiva),raporton,standardi
(…) Fribourg (CH), MURAT JASHARI – BACA Orizare-Kumanovë , Adresa kontaktuese: [email protected]. http://diplomacia.dk/lajme/lajme/1691/Letra-Nr–2-e-shenjte-.html