Kryetari i PDK-së dhe njëherësh ministri i punëve të Jashtme, Hashim Thaçi në një intervistë të dhënë për KP ka theksuar se ai ka takime me eksponent të opozitës, nëpër organizime që i bën bashkësia ndërkombëtare, të cilët i thonë se partitë opozitare kanë hyrë në këtë proces, por nuk po dinë se si të dalin.
Zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm shton se gjendja është e tejkalueshme dhe se Kosova nuk ka krizë, por ka veprime të dhunshme, të papranueshme dhe të jashtëligjshme opozitare. Madje, ai thotë se Kuvendin e Kosovës kurrë nuk do të mund ta bllokoj askush, as me muskuj apo forma tjera. Thaçi ka ftuar opozitën që nëse kanë argumente të mjaftueshme le të shkojnë në Kuvend dhe le të flasin.
Thaçi ua ka bërë të qartë partive opozitare se pavarësisht qëndrimeve të opozitës, në asnjë rrethanë nuk do të ketë zgjedhje të parakohshme, nuk do të ketë qeveri teknike, nuk do të ketë plotësim të Qeverisë, e as nuk do të ketë referendum për gjërat që ata i ngritin. Sepse Thaçi thotë se janë të bindur se Asociacioni dhe demarkacioni janë në përputhshmëri të plotë me Kushtetutën e Kosovës, standardet evropiane dhe nuk do të ketë kthim mbrapa asnjë centimetër.
“Ata në njërën anë mundohet ta bllokojnë punën e Kuvendit si opozitë, nuk do të mund ta bllokojmë, ne do të punojmë dhe nuk do të ketë kthim prapa për asnjë centimetër. Tjetër, ne nuk do të marrim modele të Afganistanit të sjelljeve institucionale. Nëse dikush ka mbetur i një zone jashtë Qeverisë, ne nuk t’ia plotësojmë dëshirën e t’i themi eja futu edhe ti në Qeveri dhe ta plotësojmë qejfin edhe ty dhe të bëjmë një gjithpërfshirje. Ne jetojmë në rendin demokratik, opozita e ka vendin e vet, ka legjitimitetin e plotë qytetarë….Vlerësoj që edhe hapi tjetër që e proklamojnë se do të organizojnë protesta, është e drejtë e opozitës që të organizoj protesta. Por ata janë edhe të paaftë, edhe të paguximshëm për të ndërmarr veprime të tilla, dhe janë të paaftë dhe të paguximshëm për të thirrur protesta, sepse nuk i mbështetë askush, sepse nuk kanë kauzë. Ai veprim i tyre është i dëmshëm për vendin”, thekson ish kryeministri Thaçi.
“Ne nuk e kemi obligim që t’iu japim këshilla se si të dalin, e vetmja këshillë e jona është participimi në jetën demokratike. Por këshilla nuk mund t’iu japim e t’u themi lëreni këtë punë dhe ejani në Qeveri. Në anën tjetër, ata fare nuk mërziten as për Asociacion, as për demarkacion. Dy prej këtyre partive opozitare gjatë ngërçit politik kanë luftuar dhe insistuar që të udhëheqin procesin e negociatave në Bruksel. Kauza e tyre është dhuna, dhe si të vihet në pushtet dhe në asnjë rrethanë as Asociacioni, as demarkacioni”, tha Thaçi.
Zëvendëskryeministri Thaçi thotë se ky bashkim i opozitës do t ë dështoj, sikurse koalicioni i vitit të kaluar gjatë ngërçit politik që ndodhi pas zgjedhjeve të qershorit.
“E para opozita nuk i beson askujt në Kosovës, nuk i beson as Qeverisë, as Kuvendit, as presidentes, as Gjykatës Kushtetuese, nuk i beson as SHBA-ve, as BE-së, as NATO-së, është e zhgënjyer me mosbesimin qytetarë ndaj opozitës, ndaj liderëve opozitarë. Ata nuk i besojnë as vetvetes, sepse janë mosbesues edhe ndaj njeri-tjetrit. Prandaj, ashtu siç kanë dështuar në verën e vitit 2014 me formulën e tyre të kapjes së pushtetit në kuadër të roleve të tyre humbëse që kishin dal nga zgjedhjet do t’iu dështoj edhe kjo iniciativë bllokuese dhe e dhunshme”, theksoi ai.