Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje Albulena Haxhiu, e cila në seancën e 8 tetorit bashkë me deputetin Albin Kurti hodhi gazin lotsjellës në sallën e seancave, rrezikon që gjatë ditës së nesërme të arrestohet. Mirëpo përkundër kësaj, Haxhiu për KosovaPress tha se ajo nuk ka marrë ftesë nga Prokuroria e Shtetit, dhe në një situatë të tillë nuk e ka ndër mend të paraqitet para organeve të rendit për të deklaruar lidhur me atë që ndodhi më 8 tetor.
Haxhiu deklaroi se veprimet e subjektit të saj, por edhe të tërë opozitës, nuk janë të orientuara drejt sistemit të drejtësisë në vend, por janë veprime politike me anë të së cilave këto subjekte po kundërshtojnë marrëveshjet e Qeverisë së Kosovës me atë të Serbisë në Bruksel dhe atë të demarkacionit me Malin e Zi.
“Së pari nuk kam pranuar ftesë nga prokuroria dhe së dyti më duhet të them që nuk kanë ndryshuar qëndrimet tona. Më duhet të them që veprimet tona në Kuvend nuk kanë të bëjnë fare me drejtësinë, janë veprime politike, dhe çdo tendencë të Prokurorisë së Shtetit për të arrestuar deputetët e opozitës e konsiderojmë si tendencë për të ndaluar mendimin opozitar. Meqë qëndrimet tona nuk kanë ndryshuar, ne nuk do t’i përgjigjemi ftesës”, tha Haxhiu përmes telefonit.
Sipas Haxhiut, Prokuroria e Shtetit dhe organet e drejtësisë në vend duhet të merren me qindra fakte që ekzistojnë për korrupsionin dhe krimin e organizuar, e jo të merren me opozitën.
Deputetja Haxhiu e konsideron absurde t’i përgjigjen ftesës për tu deklaruar para Prokurorisë derisa përkundër kallëzimit penal të bërë nga ky subjekt drejt deputetit të LDK-së Armend Zemaj nuk merret asnjë masë dhe i njëjti nuk ka asnjë thirrje nga organet e rendit.
“ Është absurde t’i përgjigjemi këtyre organeve, kur ndaj zotëri Zemajt, përkundër kallëzimit penal që kemi bërë drejt tij, nuk ka asnjë thirrje të vetme. Së dyti, lirohet djali i Isa Mustafës i akuzuar për vepra penale, ndërsa arrestohen dhe akuzohen aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje që dalin në mbrojte të shtetit”, tha Haxhiu.
Deputetja e Vetëvendosjes komentoi edhe thirrjen e seancës për nesër në ora 16:00, duke e cilësuar si provokim i situatës, për çka përgjegjësia, sipas Haxhiut, bie mbi kryeministrin Isa Mustafa.
“Ne nuk do të dorëzohemi vullnetarisht dhe çfarëdo tendence për të na arrestuar dhunshëm, është provokim i situatës dhe përgjegjësia për këtë i bie Isa Mustafës”, tha Haxhiu.
Ndryshe kryesia e Kuvendit, por pa opozitën që po bojkoton punën e Kuvendit, ka vendosur që të premten në ora 16:00 të thërrasë vazhdim të seancës, në të cilën janë parapara 10 pika të rendit të ditës.