Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, ka thënë se bllokada nuk duhet dhe nuk mund të vazhdojë pafundësisht, por nëse edhe sot opozita nuk lejojnë mbarëvajtje atëherë Kryesisë së Kuvendit s’i mbetet gjë tjetër pos të veprojë.
Ai në një prononcim për Klan Kosovën, është shprehur i befasuar me opozitën dhe bllokadën që ata po ia bëjnë Parlamentit.
“Nëse edhe këtë të premte veprimet në seancë janë të njëjta, kryesisë së Kuvendit i takon të marrë veprime konform rregullores së punës”.
“Ndërsa jam i befasuar me veprimet e opozitës, pasi asnjë nga nënshkrimet e marrëveshjeve nuk i ka bërë kryetari i Kuvendit. Nuk mund të vazhdohet kësisoj sepse krijohet precedent që pakica gjithmonë ta bllokojë shumicën,” ka thënë Haxhiu për Klan Kosovën.
Haxhiu ka deklaruar, po ashtu se deputetët duhet ta kenë parasysh se kanë përgjegjësi para votuesve të tyre, por edhe si individë të përveçëm.
“Zgjidhja është në Kuvend dhe deputetët përveç përgjegjësisë politike kanë edhe përgjegjësi individuale. Hedhja e gazit lotsjellës nuk mund të arsyetohet sepse kësisoj duhet edhe tifozët që hedhin gaz në stadium të mos dënohen,” shtoi Haxhiu, njofton Klan Kosova.