Deputetja e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu ka thënë se të gjitha veprimet e pushtetit ndaj deputetëve dhe opozitës nuk janë të çuditshme, sepse sipas saj, qeveria e Mustafës është regjim autoritar.
“38 ditë prej kur më është privuar e drejta e lirisë, 14 ditë në paraburgim e më pas në arrest shtëpiak”, ka shpjeguar Haxhiu në Interaktiv të KTV’së, duke thënë se masat ndaj deputetëve kanë pasur qëllim ta zbrapsin opozitën, por e kanë pasur të kot sipas saj.
Deputetja Haxhiu ka thënë se nuk ka hedhur asnjëherë gaz lotsjellës dhe nuk ka asistuar asnjëherë. Fakti që ajo është arrestuar, sipas Haxhiut, janë fjalët e Kadri Veselit se “Albulena Haxhiu ka shkuar dhe ka marrë gaz lotsjellës”.
“Unë kam hedhur sprej dhe kam marrë vezë të prishura për të gjuajtur Xhavit Halitin”, ka potencuar Haxhiu.
Prokurorja Fikrije Fejzullahu, sipas Haxhiut, është sjellur keq me të, duke shtuar se aty ka mbërritur edhe kryeprokurori i Prishtinës, Imer Beka, që pas arsyetimit që ato kanë qenë veprime politike, ai i ka thënë “ty t’paska mbet me mbrojt Republikën”.