Ministrja për Dialog në Qeverinë e Kosovës, Edita Tahiri, ka thënë se pala serbe ditëve të fundit ka shkelur marrëveshjet e arritura në Bruksel duke ua pamundësuar qytetarëve të Kosovës të kalojnë kufirin mes dy shteteve.
Megjithatë, Tahiri thotë se paqartësitë janë eliminuar dhe tani kjo pengesë është hequr.
Pengesa kishte të bënte me zbatimin e Marrëveshjes për Lirinë e Lëvizjes në mes të Kosovës dhe Serbisë të arritur në Bruksel me 21 nëntor 2011. Paqartësitë kanë qenë të lidhura me njohjen e autorizimeve për ngasje të veturës të lëshuara nga autoritetet përkatëse të Kosovës.
“Në disa raste, pala serbe në shkelje të zbatimit të Marrëveshjeve të arritura në Bruksel, nuk ka lejuar qytetarët e Kosovës ngasës të veturave me autorizim që të kalojnë kufirin në mes të dy shteteve. Pas intervenimeve të ekipit të dialogut dhe diskutimeve në kuadër të nivelit teknik të zbatimit të marrëveshjes së për menaxhimin e integruar të kufirit (IBM), është qartësuar çështja me palën serbe dhe rrjedhimisht është hequr kjo pengesë”, thuhet në njoftimin e zyrës për informim të ministres Tahiri.
“Prandaj, informojmë qytetarët e Republikës së Kosovës se gjatë kalimit të kufirit në mes të Republikës së Kosovës dhe Serbisë, për ngasësit e veturave me autorizim kalimi mund të bëhet pa pengesa”, thekson më tej Tahiri.
Në fund, ajo thotë se për çfarëdo pengesash eventuale në çështjen e autorizimeve nga Kosova për ngasësit e veturave, ju lutem që të kontaktoni në këtë adresë:
Zyra e ministres për Dialog, Edita Tahiri