Lajmet e fundit

Historiografia shqiptare e vonuar për studimet mbi Çamërinë

Një vështrim kronologjik nga Epiri i Lashtë, eksodi deri në ditët e sotme të historisë mbi Çamërinë.

Çështja çame, një nga çështjet më të ndjeshme jo vetëm të raporteve shqiptaro-greke, por dhe të kujtesës sonë historike, nuk ka pasur këto vite vëmendjen e duhur nga historianët. Pak e njohur gjatë periudhës së komunizmit, pas viteve ’90, janë pritur më shumë studime mbi këtë histori.

Historiani Kristo Frashëri, pas hulumtimeve të gjata, vjen së fundi me një studim të mirëfilltë mbi këtë histori. “Historia e Çamërisë” është libri që u promovua dje, nën siglën e UET-Press, i cili vjen si një bashkëpunim me qendrën kërkimore “Ligji, norma dhe tradita”, pranë Fakultetit Juridik në UET, e drejtuar nga Nevila Nika.

Libri është pjesë e projektit “Çamëria, si çështje shkencore” dhe vjen pas dy botimeve të tjera në këtë fushë, “Epiri i jugut, Çamëria”, me një grup autorësh dhe librit të Mentor Nazarkos “Lufta e fundit” për pronat e shqiptarëve në Greqi. Libri është një vështrim historik nga Epiri i Lashtë, për të mbërritur tek eksodi çam apo debatet për këtë çështje në Nju Jork.

Frashëri e trajton si një cikël të plotë, historinë fatkeqe të Çamërisë, të kësaj krahine etnikisht shqiptare, peripecitë që ajo pati në rrugëtimin e saj nga lashtësia deri në ditët tonë, si edhe padrejtësitë që shoqëruan trajtimin e çështjes çame në tryezat e diplomacisë europiane.

“Si konkluzion, me këtë punim në trajtimin e historisë së Çamërisë, spikatin, së pari, bagazhi historik i autorit në lidhje me trajtimin e çështjes çame; e dyta, aftësia e autorit për ta trajtuar problemin e Çamërisë si problem shkencor i historisë shqiptare; e treta, të dhënat e sakta që përdor autori në trajtimin tepër të vështirë të problemit çam nga pikëpamja historiografike”, thotë historiani Pëllumb Xhufi.

Leave a Reply

Your email address will not be published.