Pas vendimit të kryesisë për suspendim të deputetëve të opozitës nga seance e sotme, përfaqësues të opozitës vendimin e kanë cilësuar jo të drejtë dhe andi demokratik.
Nënkryetarja e kuvendit të Kosovës nga Lëvizja “Vetëvendosje”, Aida Dërguti tha se vendimi i kryesisë është në kundërshtim me kushtetutën.
“Gjithsesi pas këtij zhvillimi, opozitës i mbetet një rrugë dhe ajo është rruga , rruga e protestës sepse edhe protesta është institucion demokratik meqë demokracia përfundimisht u minua brenda institucionit më të lart të këtij vendi që është kuvendi i Kosovës”, tha Dërguti.
Ndërsa, Bali Muharremi nga AAK-ja, tha se do të vazhdojnë me protesta , pasi sipas tij të dy marrëveshjet ajo për demarkacionin dhe asociacionin janë të dëmshme dhe si të tilla do t’i kundërshtojnë.
“Nuk do të ndalemi derisa këto dy marrëveshje që janë të dëmshme për qytetarët e republikës së Kosovës derisa nuk reflekton kryeministri dhe zv kryeministri, derisa nuk tërhiqen këto marrëveshje. Ne si opozitë do të vazhdojmë punën tonë qysh kemi vazhduar deri sot”, tha Muharremi.
Përfaqësuesi i Nismës, Enver Hoti, ka quajtur kryeministrin mbetje Jugosllave.
“Mbetjet jugosllave të udhëhequra nga Isa Mustafa dhe një grup banditësh e nga Hashim Thaçi janë futur tanimë në errësirën e vet politikës, ata po tentojnë që edhe vendin ta dërgojnë drejt kësaj errësire. Ne tani mund të flasim vetëm për një regjim i cili po tenton edhe interesin e vendit e të qytetarëve të vendit të merr dhe të fut në errësirën në të cilën është futur ai”, tha Hoti.
Ai po ashtu në këtë konferencë të fundit të mbajtur nga opozita ka kërkuar që sa më parë të lirohet anëtari i Nismës Haxhi Shala dhe deputetët tjerë. Ai po ashtu tha se veprimet dhe marrëveshjet jo ligjore janë më të dëmshme se gazi i gjuajtur nga deputetët e arrestuar.