Lajmet e fundit

Hoti : Jo Kosovë të paralizuar, jo krijimit të historisë nga e cila pasardhësit do të turpërohen.

E kuptoj që askush nuk dëshiron gjendje jo stabile në vend, e kuptoj që jo secili pajtohet me veprime që përfaqësojnë shpirt të shqetësuar, edhe atë grupin e njerëzve që nuk e bëjnë as edhe një hap për ndryshime në vend e që nga shtëpitë e tyre postojnë e bëjnë analiza kinse nuk e kuptojnë pse dhe për çka po proteston opozita, nga qefi është e sigurt që jo, por prapë edhe për ata njerëz mundohem të kem mirëkuptim…
Por kur çdo i dyti qytetar e fillon ditën duke u ankuar se si nuk po arrin të sigurojë një vend pune, se si përballet me raste kur thyejnë ligjet shumica nga po ata njerëz që i miratuan ato, se si kur është semurë i shtohet dhimbja edhe më shumë kur e kujton se çfarë kushte ofron një spital në Kosovë, se si diploma i qëndron si dekor në shtëpi, e se si suksesin e siguron dikush tjetër jo nga meritat por në bazë të mbiemrit apo të afërmve në institucionet udhëheqëse, as nga shkollimi e talenti, se si shumica ato pak para që i kanë vendosin t’i shpenzojnë në lokale të ndryshme pasi që qendra kulturore e artistike apo mundësi tjera më të mira e produktive në Kosovë nuk ka, se si korrupsioni mbretëron në secilin skaj e qoshe, e nuk mund të injorohet fakti se as trend sigurie nuk ka, se si qytetari ballafaqohet me probleme të shumta por nuk ka vend ku t’i adresojë e ku do t’i konsideroheshin si të tilla. Se të gjitha këto bien mbi krahët e qeverisë, është e pa diskutueshme.
E imazhi i krijuar për Kosovën si një çerdhe korrupsioni, krimi, varfërie, shoqëruar me standarde të ulëta jetësore e demokratike, me reforma të dobta e krizë të thellë ekonomike, nuk është imazh i krijuar sot, por që nga një periudhë shumë e gjatë kohore, ku autorët kryesorë janë qeveritarët, pa as edhe një pikë dyshimi. Kur në Kosovë mungojnë vlerat kryesore të një shteti të zhvilluar në themel, e kjo qeveri në vend se të formulojë zotime të reja për t’i fituar këto beteja jetike e t’i shkrijë në praktikë, sjell dy marrëveshje që kufizojnë, dëmtojnë, zvoglojnë edhe më shumë shtetin e Kosovës. Prandaj fakti se në njerën anë shumica e popullit ankohet për realitetin e dhimbshëm në vend, plus me rreziqe të reja për jo stabilitet dhe frymë shkatërrimi që sjellin këto dy marrëveshje, e në anën tjetër kritika për veprimet e fundit opozitare kundër tyre, për mua nuk ka kuptim fare!
Horizonti për zhvillim demokratik largohet nëse këto dy marrëveshje kalojnë, prandaj qdo ” pasojë ” nga veprimet opozitare lidhur me këto dy tema janë shumë te vogla dhe përfundojnë në një hark të shkurtë kohor, për dallim nga pasojat e marrëveshjeve që janë të përhershme!
Republika e Kosovës është vepër e njerëzve që derdhën lumenj gjaku, që luftuan e bënë akte madhore për të shenjtën liri, e idealet që kishin ata njerëz nuk janë në perputhje me këto dy marrëveshje. E këto dy të fundit nuk anulohen vetë, por me përkushtim dhe përpjekje të qdo qytetari që është për një Kosovë unike.
Ndaj veprimet e opozitës janë rezultat i një axhende ku kreu dhe objektivi madhor është mbrojtja e vendit, duke qëndruar fuqishëm në mbështetje të këtij interesi, me vullnet të palëkundur. Nuk ka humbës, as fitues, po ka njerëz që i lidh vullneti për të mbrojtur sovranitetin e shtëpisë të përbashkët.
Jo Kosovë të paralizuar, jo krijimit të historisë nga e cila pasardhësit do të turpërohen.

Shihemi në shesh me dt. 28 nëntor 2015, në orën 14:00.

Shkruan : Diellza Hoti

Leave a Reply

Your email address will not be published.