Lajmet e fundit
Hoxha nën hetime

Hoxha nën hetime

Së paku tetë tenderë, në vlerë prej më shumë se 10 milionë, euro janë duke u hetuar aktualisht nga Prokuroria Speciale e Kosovës, si dhe Njësia për Krime Ekonomike e Policisë së Kosovës, për shkak të dyshimit që OSHP-ja ka bërë favorizimin e kompanive të caktuara.

Bashkë me tenderët është duke u hetuar edhe ish-kryetari i OSHP-së, aktualisht anëtar i kryesisë së PDK-se, dega ne Prizren, Hysni Hoxha, i cili dyshohet se ka dëmtuar rëndë kompani të përgjegjshme, por edhe buxhetin e Kosovës, pasi që në disa raste me oferta janë shpërblyer kompani të papërgjegjshme me çmim shumë më të lartë.

Burime te besueshme të gazetës “Zëri” thonë se Prokuroria Speciale e Kosovës dhe Njësia për Ekonomike e Policisë së Kosovës kanë hasur në fakte të mjaftueshme ku dyshohet se është keqpërdorur pozita zyrtare.

Zyra e Prokurimit e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) më 13 maj të këtij viti e shpalli kompaninë “Laguna” si fituese të tenderit prej 3,286,211.00 euro për pastrimin e sipërfaqes të brendshme të QKUK-së.

Mirëpo, të pakënaqur me rrjedhën e procesit dy kompanitë tjera që kanë qenë në garë “Selmans Netëork” dhe “Krasniqi” kanë bërë ankesë në Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP) ku ky i fundit vendosi në favor të tyre, ku e obligoi QKUK-në që lënda të kthehet në rivlerësim. Por, pas rivlerësimit QKUK-ja ka shpallur sërish fituese kompaninë e njëjtë.

Të pakënaqur sërish dy operatorët ekonomikë kanë bërë ankesë në OSHP. Mirëpo si për çudi më 11 korrik të këtij viti, kryetari OSHP-së ka nxjerrë një konkluzion mbi refuzimin e ankesave të dy kompanive në fjalë.

Më tej në vendim thuhet se ankesat e kompanive në fjalë refuzohen, pasi që OSHP-ja ka vlerësuar se për këtë çështje nuk mund te vlerësohet dy herë, pasi që sipas tyre kjo çështje është “Res Judicata”.

Po ashtu, më 16 korrik nga kryetari i OSHP-së nxjerr edhe konkluzioni i dytë për të njëjtën lëndë mbi refuzimin e ankesave të operatoreve ekonomik “Selmans Netëorks” dhe “Omi Impex”.

Ashtu si herën e parë, edhe në këtë rast kryetari ka vendosur se për këtë çështje nuk mund të vendoset dy herë, pasi që sipas tyre kjo çështje është “Res Judicata”.

Mirëpo, ky është rast i paprecedent i shkeljes ligjore, pasi që në konkluzionin e pare kryetari i OSHP-së shënon se për këtë çështje nuk mund të vendoset dy here, pasi që kjo çështje është “Res Judicata”. Mirëpo, ky konkluzion i tij bie në kundërshtim me vendimin e parë kur gjykata e tenderëve u ka dhënë të drejtë kompaninë ankuese.

Po ashtu, zyra e prokurimit e Universitetit Publik të Prizrenit dy here radhazi e kishte shpallur kompaninë “Albes” nga Istogu si fituese e tenderit për ndërtimin e objektit të ri për këtë Universitet.

Mirëpo, pas ankesës së operatorëve tjera që kanë qenë në garë, më 2 gusht të vitit 2012 OSHP e urdhëron UPZ-në që tenderin në fjalë ta kthej në rivlerësim, ku më pastaj tenderi i jepet kompanisë “Çlirimi”.

Pas kësaj më 17 gusht dhe 29 gusht kryetari i OSHP-së nxjerrë dy urdhëresa mbi refuzimin e ankesave të operatorit ekonomik “Albes”. Ankesa është refuzuar pasi që kryetari Hoxha ka vlerësuar se këtë çështje nuk mund të vendoset dy here, pasi që kjo çështje është “Res Judicata”. /Zëri/

Leave a Reply

Your email address will not be published.