Ish ministri i jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj ka mbajtur një tjetër ligjeratë para studentëve dhe profesorëve të programit Master në Ekonomi dhe Financa Ndërkombëtare të Johns Hopkins me temën “Shtetndërtimi: Rasti i Kosovës”
Hoxhaj ka thënë se në një botë të sotme të ndërvarur dhe të pasigurtë, në të cilën vështirë parashihen trendet dhe zhvillimet e tjera, shtetndërtimi paraqet një sfidë të mirëfilltë.
“Nga shtetetndertimi varet stabiliteti politik, zhvillimi ekonomik, transformimi shoqëror, kërcënimet e sigurisë dhe rreziqe të tjera me të cilat ballafaqohen vende të ndryshme. Kosova është ndër shembujt e rrallë, e cila që nga shpallja e pavarësisë ka treguar rastin më të mirë të shtetndertimit, përkunder problemeve me të cilat ballafaqohet vendi. Njëherësh ka ndërtuar dy partneritete strategjike, me SHBA-në si partnerin e saj global nga e cila varet sigura e integrimi në sistemin ndërkombëtar dhe me BE-në si fuqinë rajonale” ka thënë Hoxhaj.
Në diskutimet me audiencën e pranishme, Hoxhaj është përgjigjur edhe në pyetjet për sfidat e brendshme të shtetndërtimit, ndërlidhjen me politikën e jashtme dhe atë të brendshme dhe aspekte të tjera të sovranitetit dhe multilateralizmit.
Hoxhaj ka disa javë që po qëndron në SHBA me ftesë të Universitetit Johns Hopkins ku njëherësh ka takuar edhe disa personalitete të rëndësishme amerikane e botërore.