Lajmet e fundit

Hoxhaj përsëri në MPJ

enver-hoxhaj-848x478Zgjedhja e Hashim Thaçit president i Republikës së Kosovës, ka lënë dy pozita boshe në ekzekutivin e vendit – atë të Ministrit të Jashtëm dhe të Zëvendëskryeministri. Këto pozita së shpejti pritet të plotësohen pasi që të dielën Thaçi ka përgatitur letrën e dorëheqjes nga të gjitha funksionet publike dhe funksionet në Partinë Demokratike të Kosovës që i ka ushtruar deri më tani.
Letra i është drejtuar Kryetarit të Kuvendit Kadri Veseli, Kryeministrit Isa Mustafa, Kryetares së KQZ-së Valdete Daka si dhe organeve të PDK-së dhe ka këtë përmbajtje:
“Bazuar në nenin 88 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe me statutin e Partisë Demokratike të Kosovës, për shkak të rrethanave juridike dhe faktike të krijuara me rastin e nominimit tim si kandidat për President të Republikës së Kosovës si dhe me qëllimin më të mirë që të zhvillohet procedurë e rregullt kushtetuese për zgjedhjen e Presidentit të ardhshëm të Republikës së Kosovës, në frymën e standardeve demokratike dhe kushtetuese të mishëruara me rendin kushtetues të Republikës së Kosovës. Ju informoj se jap dorëheqjen time nga të gjitha funksionet publike që i kam ushtruar deri më tani duke përfshirë edhe të gjitha funksionet në Partinë Demokratike të Kosovës”.
Ndërkaq, as vendimi i Kryeministrit Mustafa nuk ka vonuar i cili e ka liruar Hashim Thaçin nga posti i zëvendëskryeministrit të parë të Qeverisë së Kosovës dhe ministrit të Punëve të Jashtme, duke e obliguar kështu zyrën e kryeministrit për zbatimin e këtij vendimi.
Burime të Koha.net nga Ministria e Jashtme kanë thënë se postin vakant në këtë ministri do ta zë paraardhësi i Thaçit.
“Po, pritet që së shpejti të emërohet ish-ministri Enver Hoxhaj në këtë post. Se kur do të ndodh saktësisht nuk e di, por është pothuajse e sigurt se Hoxhaj do të jetë zëvendësues i Thaçit për postin e ministrit të Punëve të Jashtme”, ka thënë burimi brenda MPJ-së, që nuk deshi të identifikohej.
Ndërkaq, burime tjera nga Qeveria e vendit nuk kanë dashur të deklarohen nëse gjatë marrëveshjes së arritur mes LDK-së dhe PDK-së për të qeverisur me vendin kanë qenë të parashikuar edhe emrat që do të zëvendësonin Thaçin në postet e lëna bosh.
“Nuk kemi diçka konkrete ende, por plotësimi i posteve të lëna bosh nga tashmë presidenti i zgjedhur, Hashim Thaçi, do të zëvendësohen në koordinim mes partnerëve të koalicionit”, ka thënë ky burim për Koha.net.
Si opsion për të zëvendësuar Thaçin në postin e ministrit të Jashtëm është përmendur edhe ministri aktual i Brendshëm, Skender Hyseni, kurse për postin e zëvendëskryeministrit të parë është përmendur si emër i mundshëm edhe ministri aktual i Bujqësisë, Memli Krasniqi.
Kurse për drejtimin e partisë, PDK, më i përfoluri deri më tani ka qenë kreu aktual i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli.

Leave a Reply

Your email address will not be published.