Një artikull për islamin në Kosovë, është shkruar nga David Phillips, i cili është udhëheqës i Programit për Paqe dhe të Drejtat e Njeriut në Universitetin e Kolumbisë.
Ai ka punuar si këshilltar për Ballkanin në administratën e ish-Presidentit Amerikan Bill Clinton. Ai po ashtu ka shërbyer si këshilltar i lartë për punë të jashtme gjatë mandartit të Presidnetit George Bush dhe Barack Obama.
Artikulli i tij është publikuar në portalin amerikan Huffington Post dhe Phillips po ashtu ka paralajmëruar se do të publikojë edhe një tjetër, me analiza më të thella rreth ndikimit të Turqisë në Kosovë.
Ja artikulli i plotë:
Shqiptarët kanë qenë gjithmonë tepër pro-amerikanë. Kosovarët e çmojnë thellësisht intervenimin e NATO-s në vitin 1999, që e qoi Kosovën drejt pavarësisë. Ata u janë shumë mirënjohës Shteteve të Bashkuara të Amerikës për kontributin që ata kanë dhënë në koordinimin e njohjeve të bashkësisë ndërkombëtare për pavarësinë e Kosovës. Duke e pasur parasysh lidhjen e fortë në mes Amerikës dhe shqiptarëve, rritja e ndikimit të islamizmit në Kosovë, është thellësisht shqetësuese.
Në Kosovë rreth 95% e 2 milionë banorëve janë shqiptarë etnikë. Në mesin e tyre, 97% janë myslimanë, kurse 3% janë katolikë. Kosova gjithmonë ka qenë një shtet sekular me një shumicë myslimane shumë liberale.
Sidoqoftë, karakteri sekular i Kosovës po ndryshon.
Gjatë muajit të Ramazanit, kafenetë e Prishtinës janë të zbrazëta gjatë kohës së iftarit. Atje janë ndërtuar mbi 200 xhami pas luftës së vitit 1999, ndërsa sot numërohen 800 xhami. I bije që një xhami të jetë ndërtuar për çdo muaj.
Islami mbizotëron sidomos në regjionet konzervative rurale.
Në qytetet si Kaçaniku, është shumë e zakonshme të shohësh gra të mbuluara apo me ferexhe, e po ashtu edhe burra me mjekra të mëdha e me pantallona të shkurtra, pamje kjo tipike e fundamentalistëve myslimanë.
Shoqëria Myslimane e Kosovës, është e financuar nga Turqia dhe shtetet e Gulf-it, me një buxhet vjetor prej 6 milionë eurosh. Imamët japin para për prindërit, target i kanë nënat e vetme, në mënyrë që fëmijët e tyre t’i përkushtohen islamit.
Shumë kosovarë i janë bashkuar Shtetit Islamik në Siri.
Qeveria e Kosovës ka bërë të ditur se 300 burra nga Kosova dhe shumë gra kanë shkuar në Siri. Në fakt, ky numër prej vullnetarësh mund të jetë më i madh. Një gazetar i respektuar atje, vlerëson se më shumë se 1,000 kosovarë i janë bashkuar ISIS-it.
Kosovarët zakonisht krenoheshin me luftëtarët nacionalistë siç është Adem Jashari, që kishte luftuar kundër agresionit serb në vitin 1999. Mirëpo sot, në internet është popullarizuar Lavdrim Muhaxheri, një shqiptar nga Kosova, i cili është në top dhjetëshen e komandantëve të ISIS-it në Siri. Muhaxheri dikur, para se të radikalizohej, punonte në Camp Bondsteel, baza ushtarake e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë. Në një video që ai e ka postuar në You Tube, shihet duke i prerë kokën një të burgosuri.
Duke përfituar nga sistemi i dobët arsimor në Kosovë, organizata bamirëse religjioze nga Arabia, kanë arritur të kenë prezencë të fortë në Kosovë, duke ofruar kurse të anglishtes dhe të kompjuterëve, mësime të cilat gjithmonë shoqëroheshin edhe me leksione të Kuranit. Radikalizimi është një problem regjional. Rrjeti i shqiptarëve të radikalizuar, s’është zgjeruar vetëm në Kosovë, por edhe në Shqipëri, Maqedoni dhe Mal të Zi.
Sidoqoftë, në raport me popullsinë që ka, nga Kosova ka më së shumti të rekrutuar në ISIS se nga çdo shtet tjetër. Të rinjtë e Kosovës mund të marrin autobusin për në Turqi pa pasur nevojë për vizë, prej nga më pas ata u bashkohen xhihadistëve.
Disa prindër i kanë kërkuar policisë që t’i konfiskojë pasaportat e fëmijëve të tyre në mënyrë që t’ua ndalojë shkuarjen në Siri, mirëpo kjo procedurë ka rezultuar infektive. Qeveria e Kosovës, nën presionin e Uashingtonit, i ka marrë disa hapa parandalues.
Në fund të vitit 2014, policia ka mbyllur 14 organizata jo-qeveritare arabe, të cilat dyshoheshin për lidhje të ngushta me grupet radikale islamike. Në mars të vitit 2015, parlamenti ka miratuar ligjin që e ndalon pjesëmarrjen kosovarëve në luftëra të huaja. Përderisa policia kosovare kishte arrestuar 78 njerëz, përfshirë këtu edhe 11 imamë, me dyshimin se kanë rekrutuar të rinj në grupet e ISIS-it, këta të arrestuar ishin liruar shumë shpejt pa u ngritur fare aktakuzë. Në përgjithësi, përpjekjet e autoriteteve kosovare kanë qenë sipërfaqësore dhe të paefektshme.
Ka disa arsye që qëndrojnë prapa radikalizimit të kosovarëve. Qeveria e Kosovës e ka pjesën më të madhe të fajit në këtë mes. Kosova njihet botërisht për qeveri të korruptuar dhe politika disfunksionale. Kriminaliteti është i gjithë-përhapur. Zyrtarët publikë më parë parapëlqejnë të përfshihen me gangsterë, se sa të jenë model për shoqërinë.
Kosova është njëri ndër vendet më të varfra në Europë. Në përgjithësi, shifra e papunësisë arrin deri në 40%. Atyre ekonomia iu ka stagnuar. Të rinjtë kalojnë orë të tëra duke u endur nëpër kafene, pa vende të punës dhe me shpresa të vogla për të ardhmen.
Diskriminimi i Europës karshi shqiptarëve, e ka shtuar ndjenjën e izolimit. Ende nuk ka liberalizim të vizave për kosovarët që duan të udhëtojnë nëpër vendet e Bashkimit Europian.
Edhe politikat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës po bëjnë që kosovarët ta përkrahin ISIS-in.
Administrata e Presidentit Barack Obama, i ka shtyrë zyrtarët kosovarë që të nënshkruajë marrëveshje të disfavorshme me Serbinë me 19 Prill të vitit 2013. Marrëveshja është bërë burim mospajtimesh dhe ka nxitur dhunë në parlament.
Turqia luan një rol tinëzar duke sponsorizuar ndërtimin e shfrenuar të xhamive dhe shkollave fetare, të cilat po i ushqejnë rrënjët e ekstremizmit. Duke e zgjeruar ndikimin e saj, Turqia ka fituar financiarisht. Politikanët kosovarë ia kanë shitur kompaninë e energjisë elektrike LIMAK-ut, një kompani turke, me një çmim shumë të volitshëm. Edhe aeroporti i Prishtinës iu është shitur turqve për një çmim që më mirë të thuhet është lëmoshë.
Kosova është vënë në harresë. Religjioni ofron një identitet të qartë dhe sensin e përkatësisë për kosovarët që ndjehen të braktisur nga vendet perëndimore, dhe nuk kanë perspektivë për të ardhmen.
Vetëm 110 shtete e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Muajin e kaluar, Serbia suksesshëm loboi në mënyrë që t’ia ndalojë Kosovës anëtarësimin në UNESCO.
Ndryshimi i rrjedhës së ngjarjeve është totalisht nën përgjegjësinë e liderëve politikë të Kosovës. Kosova duhet të iniciojë reforma dhe luftë kundër korrupsionit në mënyrë që të përfitojë njohje më të madhe globale, dhe të frymëzojë shpresë për brezin e ri.
Në vendet e Ballkanit, asgjë nuk ndodhë derisa nuk ndërhynë Amerika. Uashingtoni duhet ta merr më seriozisht ekstremizmin dhe duhet të iniciojë një qasje të re nga komuniteti ndërkombëtar.
Injorimi i Kosovës, do ta përshpejtojë radikalizmin e kosovarëve. Nëse Amerika është serioze në lidhje me luftën kundër ISIS-it, ajo thjesht s’mund të lejojë që Kosova të bëhet një vatër e re e islamizmit në Europë.