Lajmet e fundit
Humanizmi i gjermanëve të Bajernit, 1 milion euro për refugjatët

Humanizmi i gjermanëve të Bajernit, 1 milion euro për refugjatët

Deti Mesdhe ka përpirë me mijëra emigrantë muajt e fundit, burra, gra, madje edhe shumë fëmijë. Imazhet e një fëmije të pajetë që ishte i shtrirë buzë detit vetëm dy ditë më parë prekën ndjenjat e secilit prej nesh.

Duket se ngjarjet e fundit kanë prekur edhe kampionët e Gjermanisë në futboll, Bajernit të Mynihut, që bëhet skuadra e parë që ka vendosur t’u vijë në ndihmë emigrantëve.

Klubi gjerman do të dhurojë rreth 1 milion euro në ndihmë të projekteve për refugjatët, në bashkëpunim me autoritetet qeverisëse vendase do të ngrejë kampe stërvitore për fëmijët dhe do t’u ofrojë kurse gjermanishteje, përveç ndihmave në ushqime e veshmbathje.

Në ndeshjen ndaj Augsburg-ut në “Allianz Arena” fundjavën e ardhshme, për të shpërndarë një mesazh solidariteti, futbollistët do të shoqërohen në fushë nga një fëmijë gjerman në njërën dorë dhe një refugjat në tjetrën.

“Bajerni e cilëson përgjegjësi socio-politike ndihmën ndaj të zhvendosurve dhe fëmijëve, grave e burrave në nevojë, duke i mbështetur ata që vijnë në Gjermani”, deklaroi drejtori i përgjithshëm, Karl-Heinz Rummenigge në faqen zyrtare të klubit.

Gjermania është duke përjetuar dyndje më të madh të refugjatëve prej dekadash, ndërsa këtë herë emigrantët që janë detyruar të lënë shtëpitë e tyre për shkak të luftërave apo varfërisë, kanë gjetur edhe mbështetjen e gjermanëve.

Për të harruar sado pak vuajtjet, tifozët e Dortmundin i dhuruan emigrantëve rreth 220 bileta për të ndjekur në stadium verdhezinjtë fundjavën e kaluar. Po ashtu, në javën e tretë të Bundesligës, në disa stadiume tifozët mbanin banderola në mbështetje të emigrantëve, duke i uruar atyre mirëseardhjen.

Bajerni i Mynihut është model për çdo skuadër në botë dhe veprimi i fundit i gjermanëve shpresojmë që të ndiqet edhe nga klube të tjera të mëdha, të cilat shpenzojnë shifra marramendëse për transferimet e lojtarëve dhe ndoshta ndihma të tilla nuk do të ndikonin aspak në financat e tyre, por do t’i ndryshonin jetën shumë njerëzve fatkeq.

Leave a Reply

Your email address will not be published.