Ministrja e Tregtisë dhe e Industrisë, Hykmete Bajrami përmes një reagimi në Facebook është munduar që të shfajësohet për skandalin me dërgimin e dy drejtuesve të LDK-së, Ismet Beqiri e Haki Rugova në punimet e Organizatës Botërore të Tregtisë në Gjenevë. Ajo ndër të tjera në këtë reagim përpos që nuk arrin për asnjë moment ta demantoj Gazetën Blic, thotë se ajo nuk i ka dërguar dy drejtuesit e LDK-së në OBT.
Madje, Gazeta Blic ka marrë informacione se përpos këtyre dy drejtuesve të LDK-së, Hykmete Bajrami përmes këshilltarit të saj, Besart Dreshaj e ka kontaktuar të paktën edhe një deputet tjetër (emër i njohur për redaksinë) për këtë vizitë.
Gazeta Blic poashtu ia përkujton ministres Bajrami se i ka dërguar pyetje me shkrim zyrës për Informim të kësaj ministrie dhe nuk ka marrë fare përgjigje. Këto janë pyetjet që Gazeta Blic ia ka dërguar Zyrës për Informim të MTI-së, por që nuk ka marrë asnjë përgjigje.
Ndërkaq, për hir të korrektësisë po e botojmë të plotë edhe sqarimin e ministres Bajrami!
Sqarim lidhur me raportimin tendencioz të portalit Gazetablic.com me titull “SKANDAL || Qysh Hykmete Bajrami i dërgon “Shefat” LDK-së, Ismet Beqirin e Haki Rugovën që ta përfaqësojnë Kosovën në OBT-së!”
05.10.2015
Në lidhje me raportimin tendencioz të portalit Gazetablic.com me titull “SKANDAL || Qysh Hykmete Bajrami i dërgon “Shefat” LDK-së, Ismet Beqirin e Haki Rugovën që ta përfaqësojnë Kosovën në OBT-së!”, i cili fatkeqësisht është publikuar edhe në disa portale të tjera pa u konfirmuar, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë dëshiron të bëj këtë sqarim publik:
Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë nuk ka dërguar në konferencën e OBT-së në Gjenevë asnjë drejtues të LDK-së dhe as nuk ka mandat të bëj një gjë të tillë. Një gazetar profesionist dhe jo tendencioz mund ta verifikoj një gjë të tillë fare lehtë, duke hulumtuar dokumentet zyrtare me të cilat autorizohen udhëtimet e zyrtarëve.
I vetmi përfaqësues i Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë që është autorizuar për udhëtimin në Gjenevë ka qenë Besart Dreshaj, këshilltar politik i Ministres. Ai nuk ka kryesuar kurrfarë delegacioni, pasi që Ministrja Bajrami nuk ka autorizuar asnjë person tjetër nga MTI-ja që të marrë pjesë në konferencën e OBT-së. Zyrtarët e tjerë nga Kosova që kanë marrë pjesë në këtë konferencë nuk e kanë përfaqësuar MTI-në.
I lusim mediat që para se të publikojnë artikuj të tillë diskreditues le të marrin mundin që të paktën të kontaktojnë institucionet e apostrofuara për t’i plasuar opinionit informatën e plotë për një ngjarje.