Ministri i Brendshëm, Skënder Hyseni ka marrë pjesë në konferencën Rajonale për Luftimin e Korrupsionit, ku është shprehur se “Korrupsioni nuk mund të përkufizohet ekskluzivisht vetëm si problem i një shteti, por është një problem rajonal e më gjerë.
Prandaj, bashkëpunimi midis vendeve të ndryshme, e sidomos bashkëpunimi midis vendeve të rajonit është krucial për të luftuar në mënyrë efikase korrupsionin në nivele të larta”.
Më poshtë gjeni shkrimin e plotë të Hysenit në Facebook:
Miq të dashur,
Sot kam marrë pjesë në konferencën Rajonale për Luftimin e Korrupsionit, e organizuar nga misioni i OSBE-së e që është mbështetur financiarisht nga qeveria federale e Gjermanisë.
Në fjalën time mes tjearsh theksova se institucionet e rendit e ligjit janë të obliguara që të bëjnë të gjitha veprimet e mundshme që korrupsionin ta vënë nën kontroll dhe ta minimizojnë deri në shkallën më të ulët.
Korrupsioni nuk mund të përkufizohet ekskluzivisht vetëm si problem i një shteti, por është një problem rajonal e më gjerë. Prandaj, bashkëpunimi midis vendeve të ndryshme, e sidomos bashkëpunimi midis vendeve të rajonit është krucial për të luftuar në mënyrë efikase korrupsionin në nivele të larta. Është shumë i rëndësishëm bashkëpunimi në mes të njësive të inteligjencës, policisë, prokurorisë, në shkallë rajoni për të luftuar pastrimin e parasë që është rrjedhim direkt i korrupsionit.
Po aq e rëndësishme është media dhe shoqëria civile në vetëdijesimin e qytetarëve për shmangien e metodave korruptive në jetën e përditshme.
S.H.