Randy W. Berry, i dërguari i parë i posaçëm i Departamentit të Shtetit për të drejtat njerëzore të komunitetit LGBTI (lezbike, gej, biseksuale, transgjinore dhe interseksuale), nga e hëna deri të mërkurën (2-4 nëntor) qëndron për vizitë në Kosovë, për t’u takuar me zyrtarët shtetërorë dhe përfaqësues të të drejtave të njeriut, njoftoi Ambasada e SHBA-ve.
Gjatë qëndrimit në Prishtinë, Berry sot (në orën 9:00) do të takohet me kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli, me kryeministrin Isa Mustafa (9:50) dhe me zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Jashtëm, Hashim Thaçi (10:40).
Po sot, në orën 14:30, ai do të mbajë një ligjëratë në Bibliotekën Kombëtare, të bashkë-organizuar nga Instituti Universitetit të Prishtinës për Studime Gjinore dhe Bibliotekës Kombëtare.
Pas kësaj, në orën 15:30, është paraparë një takim me ministrin e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami.
Nesër, e mërkurë, në orën 10:30, i dërguari i State Departamentit do të zhvillojë një bisedë me Komisionin parlamentar për të Drejtat e Njeriut.