Lajmet e fundit

I jepet lamtumira e fundit, veteranit të UÇK-së, Ukshin Kosumit

Nga qytetarë, bashkëluftëtarë e veteranë të shumtë, në Bajçinë të Besianës i është dhënë lamtumira e fundit veteranit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Ukshin Kosumit.
Ish-komandanti i Logjistikës së Zonës Operative të Llapit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (ZOLL e UÇK-së), Hamit Hamiti, i njohur me nofkën “Komandant Bali”, me këtë rast ka thënë se Ukshinin, përveç virtyteve të larta njerëzore e morale, e karakterizonte edhe trimëria e madhe për faktin se sa herë që i caktoheshin detyra nga Komanda e Logjistikës së ZOLL-it, ai me shkathtësitë e një luftëtari dhe strategu të rrallë ushtarak i kalonte barrierat dhe postblloqet ushtarako-policore serbe të vendosura në të gjithë territorin e Llapit, vetëm e vetëm për të arritur me pajisjet dhe materialet ushtarake në pozicionet strategjike të UÇK-së. “Edhe pse jeta e Ukshinit çdoherë vihej në rrezik të madh, ai  vazhdonte i palëkundur në kryerjen e përgjegjësive dhe aktiviteteve të larta ushtarake e revolucionare përballë pushtuesit dhe forcave  të mëdha serbe që vepronin në Llap”, ka theksuar ai.
Në ceremoninë e varrimit të Kosumit kanë marrë pjesë edhe ish-deputeti e Kuvendit të Kosovës, Latif Gashi, i njohur me nofkën “Komandant Fati”, Naim Fetahu, pastaj zëvendësministri i FSK-së, Muhamet Latifi, i cili njëherësh është edhe kryetar i Degës së PDK-së në Besianë dhe Hajredin Hyseni-Dini, zëvendësministër i Administratës Publike.

Leave a Reply

Your email address will not be published.