Lajmet e fundit
I vazhdohet paraburgimi ‘Grupit të Drenicës’

I vazhdohet paraburgimi ‘Grupit të Drenicës’

Sylejman Selimi, Sami Lushtaku dhe pjesëtarët tjerë të “Grupit të Drenicës”, do të qëndrojnë në paraburgim edhe së paku një muaj.
Gjykata Themelore në Mitrovicë sot ua ka vazhduar edhe për një muaj paraburgimin shtatë pjesëtarëve të njohur si “Grupi i Drenicës” e që dyshohen për kryerjen e krimeve të luftës gjatë luftës së fundit në Kosovës.
Gjykata e ka marrë vendimin që të dyshuarit të qëndrojnë në paraburgim deri më datën 23 nëntor, duke vlerësuar se ekziston rreziku i ikjes së të pandehurve dhe se ekziston rreziku i ndikimit në dëshmitarë.
Mbrojtësi i Sylejman Selimit, avokati Tomë Gashi, teksa e ka konfirmuar për “Zërin” marrjen e këtij vendimi nga Gjykata e Mitrovicës, një vendim të tillë e ka cilësuar “skandaloz, të paligjshëm, të padrejtë dhe fyes”.
“Të pretendohet se Sylejman Selimi dhe bashkëluftëtarët e tij të cilët kanë dhënë gjithçka duke luftuar për çlirimin e Kosovës, se 14 pas luftës do të iknin nga Kosova për të mos u përballur me shpifje të njerëzve të shantazhuar dhe të blerë nga EULEX-i për të siguruar një jetë më të mirë jashtë Kosove, më së paku është krim ndaj drejtësisë dhe fyerje e të gjithë luftëtarëve që luftuan të udhëhequr nga Selimi si komandant i tyre”, ka thënë Gashi, teksa ka paralajmëruar ankesë ndaj këtij vendimi dhe shfrytëzimin e çdo mundësie juridike që kjo, siç e quan ai, padrejtësi dhe nënçmim i luftëtarëve të ish-UÇK-së, të ndërpritet.

Leave a Reply

Your email address will not be published.