Instituti Kombëtar i Shëndetësisë publike ka ekzaminuar të gjitha mostrat e ujit dhe bazuar në rezultatet e para të monitorimit të ujit për pije në Prishtinë, e në veçanti në komunën e Shtimes, të dhënat laboratorike për parametrat kimik dhe bakteriologjik rezultojnë brenda standardeve të parapara me rregulloret për cilësinë e ujit për pije.
Sipas një komunikate të këtij instituti, pas marrjes së informatës për vërshime në shumë rajone të Kosovës, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë publike ka ekzaminuar të gjitha mostrat e ujit të parapara me rregulloret për cilësinë e ujit për pije.
“Mostrat e ujit nga KUR Prishtina janë ekzaminuar menjëherë në laboratorët e IKSHPK dhe bazuar në rezultatet e para të monitorimit të ujit për pije në Prishtinë, e në veçanti në komunën e Shtimes, të dhënat laboratorike për parametrat kimik dhe bakteriologjik rezultojnë brenda standardeve të parapara me rregulloret për cilësinë e ujit për pije. Duke pasur parasysh situatën e krijuar pas vërshimeve, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike do të vazhdojë me monitorimin e cilësisë së ujit për pije sipas kompetencave ligjore në fuqi me përgjegjësi të lartë profesionale”, thuhet në komunikatë.
Situata epidemiologjike dhe sanitacioni janë në kontrollë të vazhduar nga ekipet kujdestare të Institutit Kombëtar dhe çdo ndryshim i situatës epidemiologjike do të pasojë me rekomandime të reja./KosovaPress/