Lajmet e fundit

Ilir Meta në Budapest: Rajoni duhet të njohë Kosovën

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, ndodhet në Budapest për të marrë pjesë në punimet e konferencës së kryeparlamentarëve të rajonit. Në fjalën e tij, kreu i Kuvendit dërgoi një mesazh të tërthortë për Serbinë dhe Rumaninë që të njohin pavarësinë e Kosovës. Meta i ftoi kolegët e tij parlamentarë që të mbështesin edhe më fort përshpejtimin e dialogut mes Serbisë dhe Kosovës dhe kërkoi që të përfundojë procesi i njohjeve të shtetit të Kosovës nga të gjitha vendet e BE-së dhe nga ato vende në rajonin tonë që ende nuk e kanë ndërmarrë këtë hap të rëndësishëm për sigurinë rajonale.

Duke u ndalur në sigurinë rajonale, kryetari i Kuvendit nënvizoi se rritja e populizmit që lulëzon në momente të vështira ekonomike, sfidat e terrorizmit ndërkombëtar dhe zhvillimet shqetësuese në kufijtë lindorë të Evropës, e rrisin nevojën e forcimit të bashkëpunimit rajonal për të mbyllur të gjitha vatrat e mundshme të pasigurisë që cenojnë paqen dhe stabilitetin.

“Nëse duam t’i japim fund njëherë e përgjithmonë çdo tendence populizmi, nacionalizmi kulturor dhe tensionesh etnike, duhet të rrisim ndërlidhjen në drejtim të transportit, energjisë, tregtisë, mobilitetit njerëzor, kulturor dhe arsimor, dhe njëkohësisht të forcojmë parametrat e qeverisjes, sundimin e ligjit dhe respektin për të drejtat themeltare”, theksoi Meta.

Kryeparlamentari shqiptar shprehu vendosmërinë dhe angazhimin maksimal të Shqipërisë për nismat që burojnë në kuadër të procesit të Berlinit si projektet konkrete në infrastrukturën rrugore, hekurudhore dhe atë energjitike.

“Shqipëria i qëndron opinionit se bashkëpunimi rajonal duhet të marrë kuptim vetëm përmes një plani të qartë masash bashkërisht me Bashkimin Evropian duke u fokusuar në forcimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, në konkretizimin e iniciativave rajonale, veçanërisht në fushat ekonomike dhe atë të sigurisë, në ndërlidhjen infrastrukturore që është kyçe për thithjen e investimeve të huaja, dhe patjetër duke rritur mobilitetin rajonal dhe arsimin profesional të të rinjve tanë të cilët preken më shumë nga papunësia”, tha ai.

Leave a Reply

Your email address will not be published.