Lajmet e fundit
Imazhi i Kosovës, në krizë

Imazhi i Kosovës, në krizë

Shkruan: Hilmi Gashi

Në Kosovë kurrsesi nuk duhet të mjaftohemi duke ndryshuar vetëm gjendjen në të cilën jemi, por, mbi të gjitha, duhet ndryshuar kategorinë në të cilën na kanë futur të tanët dhe të huajit.

Imazhi i cili është krijuar në sytë e botës për Kosovën, ende mbetet i zymtë, pavarësisht përpjekjeve të kësaj të fundit që ta përmirësojë atë, që nga shpallja e pavarësisë së vendit në shkurtin e vitit 2008.

Përveç që Serbia e ka dëmtuar imazhin e Kosovës me diplomacinë e vet, edhe vetë ne, brenda shtetit, nuk ia kemi lënë fort keq, pasi që në mënyrë të vazhdueshme kemi treguar se nuk jemi në gjendje ta luftojmë krimin e organizuar dhe korrupsionin, për çka edhe Kosova njihet më së shumti në arenën ndërkombëtare. Hapat që i kemi marrë ne gjerë më tani, më shumë kanë qenë hapa kozmetikë, për ta përmirësuar imazhin, sesa hapa substancialë, që kishin për ta përmirësuar këtë imazh.

Nga këndvështrimi ndërkombëtar, Kosova është një vend i cili gjykohet të ketë një gjendje të mirë brenda kategorisë së vendeve të brishta në krizë. Cilësohet si një rrëfim i suksesshëm, porse në kategorinë e vatrave të krizës (ku na krahasojnë me Irakun, Afganistanin, Palestinën etj.) Kjo sikur po i bie që “gjendja e keqe në Kosovë është e mirë”. Kategorizimi i Kosovës si një vend jonormal, por me situatë të mirë meqë të qetë, përkundër ndodhjes se saj përbrenda kategorisë se jonormalitetit, dhe relaksimi e komoditeti me të cilin qeveritarët kosovarë i presin në vizita e takime ndërkombëtarët, do të thotë që faktorët ndërkombëtarë besojnë dhe me gjasë sipas kësaj të fundit vetëm sa ua vërteton edhe më shumë bindjen që çështja e Kosovës dhe e kosovarëve pret.

Në këtë kontekst, problemet e Kosovës, si stagnimi ekonomik dhe mjerimi social, krimi i organizuar dhe korrupsioni, kontrabanda dhe trafikimi me qeniet njerëzore, problemet me integrimin territorial, janë përmbajtja e krizës që paraqet kategorinë e imazhit tonë sot. Kriza po thellohet çdo ditë, situata është përherë e tensionuar dhe shpesh ndodhet para eksplodimit. Si në aspektin politik e të sigurisë, po ashtu edhe në atë socio-ekonomik, Kosova i ngjan një fuçie baroti që sa vjen e rritet, që zgjerohet edhe në drejtim të shkëndijave që do ta eksplodonin dhe krejt çfarë duan elita politike e vendit dhe ajo ndërkombëtare është që ajo të mos shpërthejë përkundër thellimit të saj.

Në një gjendje ku gjysma e më tepër e popullit është e uritur dhe gjysma e më tepër e popullit, ekonomikisht aktiv, është e papunë, ku dominon korrupsioni, krimi i organizuar, kontrabanda, mos-sundimi i ligjit dhe mediat e Kosovës radhiten në vendin 102, mund të themi se e kemi imazhin jashtëzakonisht të zymtë.

Marrë në konsideratë të gjitha këto të bëma të cekura me lartë si dhe shumë të tjera, të cilat për çdo ditë janë pjesë e mediave botërore, çfarë përshtypje mund të krijojë një qytetar që jeton në një vend tjetër, larg Ballkanit, në Evropë, Amerikë apo diku tjetër. Në Kosovë kurrsesi nuk duhet të mjaftohemi duke ndryshuar vetëm gjendjen në të cilën jemi, por, mbi të gjitha, duhet ndryshuar kategorinë në të cilën na kanë futur të tanët dhe të huajit.

Leave a Reply

Your email address will not be published.