Transparenca me mediat dhe me qytetarët nga institucionet e vendit lë shumë për të dëshiruar, pasi që shpeshherë mbetet e izoluar për vendime dhe procese të rëndësishme.
E iniciativa për ndryshimin e Ligjit për Qasje në Dokumente Publike, që lidhet direkt me transparencën, po shihet si veprim i rrezikshëm, raporton KTV.
Opsioni i parë është mosndryshimi i ligjit, derisa tri opsionet tjera çojnë në themelimin e Komisionerit për Informim, reformimin e Agjencisë për Mbrojtjen e të Dhënave personale, që më pas do të quhej Komisioneri për Informim ose krijimin e një trupi të veçantë, dhe opsioni i fundit është të punohet në zbatimin e ligjit ekzistues.
Sipas Flutura Kusarit, juriste për të drejtën e medias, një veprim i tillë i Qeverisë është i rrezikshëm. Kusari mendon se duhet të fuqizohet roli i Avokatit të Popullit.
Krijimi i një mekanizmi është i mirëseardhur për Agjencinë për Mbrojtjen e të dhënave personale. Por, Mentor Hoxhaj nga kjo agjenci, thotë se një gjë e tillë do të rriste shpenzimet e shtetit.
E zëdhënësi i Qeverisë, Arban Abrashi, ka pohuar se një ndryshim i tillë është i domosdoshëm dhe se është praktikë evropiane. Sipas tij, ky është edhe një rekomandim që është dhënë në Raportin e fundit të Progresit 2015 për Kosovën.