Të premten e javës që shkoj, Kosova i ka dorëzuar Komisionit Evropian draft raportin e fundit lidhur me tetë kërkesat e tjera për liberalizimin e vizave.
Ky draft raport sipas ministrit të Integrimeve Evropiane, Bekim Çollakut përmban informacionet se institucionet e Kosovës i kanë plotësuar edhe ato tetë rekomandimet të cilat ishin cilësuar si pjesërisht të plotësuara bazuar në raportin e fundit të Komisionit Evropian të publikuar në dhjetor të vitit të kaluar.
Çollaku ka thënë më tej ka thënë për Indeksonline se beson që raporti i dërguar do të vlerësohet në mënyrë pozitive.
“Informata e dërguar është përmbajtjesore dhe sqaron në detaje përmbushjen e atyre tetë rekomandimeve. Për më tepër, sqaron edhe progresin që do të ndodhë në vazhdim sepse disa nga kriteret do të vazhdojnë të monitorohen edhe pas liberalizimit të vizave. Unë jam i bindur se informata e djeshme dërguar Komisionit Evropian do të vlerësohet në mënyrë pozitive dhe do të shërbej si bazë e mjaftueshme për veprimet e radhës”, ka thënë Çollaku.
Ai më pas ka shtuar se pret vlerësim përkatës dhe vizitën e komisionarit të BE-së për Migrim, Çështje të Brendshme dhe Shtetësinë, Dimitris Avramopoulos në Kosovë për të konfirmuar së bashku zbatimin e rekomandimeve, në mënyrë që Komisionit Evropian të bëjë propozimin Parlamentit Evropian dhe Këshillit të BE-së heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës.
“Nuk kam dyshim se puna e bërë do të vlerësohet pozitivisht dhe Komisioni Evropian në konsultim me shtetet anëtare do të procedojnë me dhënien e rekomandimit pozitiv për liberalizim të vizave për Kosovë bazuar në përmbushjen e kritereve. Po ashtu shpreh bindjen se përkushtimi dhe rezultatet e arritura do të kurorëzohen me vendim meritor që në pjesën e dytë të këtij viti qytetarët e Kosovës të lëvizin pa viza në vendet e BE-së”, u shpreh Çollaku për Indeksonline.
Komisioni Evropian kishte miratuar më 18 dhjetor raportin e tretë, përfundimtar, për progresin e Kosovës në përmbushjen e kërkesave të udhërrëfyesit të saj për liberalizimin e vizave.
Ndërkaq kishin mbetur vetëm tetë kërkesa të papërmbushura. Sapo që Kosova të përmbushë këto kritere të fundit si dhe me sigurimin e masave efektive që mbeten për të parandaluar fluksin e ri të migrimit për në BE, Komisioni do të propozojë heqjen e obligimit për viza për qytetarët e Kosovës