Lajmet e fundit

Inspektorati Policor i Kosovës hap zyrën në veri të Mitrovicës

Qytetarët në veri të Mitrovicës nuk do të kenë më nevojë të shkojnë në Prishtinë për t’iu drejtuar Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK), në rast se kanë ankesa. IPK nga sot janë vendosur edhe në veri të Mitrovicës.

Në mënyrë që qytetarët e kësaj ane të kenë një zyrë në të cilën do të mund t’i drejtojnë ankesat e tyre, punonjësit do t’u jenë në dispozicion çdo ditë pune nga ora 09:00 deri në orën 15:00.

KosovaPress sot ka përcjell ditën e parë të punës së kësaj zyre në veri të Mitrovicës, e cila është e treta zyre rajonale e hapur brenda këtij viti, pas dy të tjerave që kanë nisur punën, njëra në Gjilan dhe tjetra në Prizren.

Zëdhënësi i IPK-së, Arbër Beka tha se hapja e kësaj zyre ka dy qëllime, të jenë më afër qytetarëve dhe të Policisë së Kosovës.

Sipas tij, kjo zyrë përveç që është në shërbim të drejtpërdrejtë të qytetarëve, ndihmon edhe në parandalimin e shkeljeve të mundshme nga zyrtarët policor.

Ndërsa Zoran Ristiq, punonjës në këtë IPK në veri të Mitrovicës, u shpreh i lumtur për hapjen e kësaj zyre që, siç tha ai, do të shërbejë për ankesa të qytetarëve.

Zyra e IPK-së ndodhet në rrugën “Mbreti Petër” në veri të Mitrovicës. Ceremonia zyrtare e hapjes së kësaj zyre do të mbahet pas festave të fundvitit.

Leave a Reply

Your email address will not be published.