Pas raundit të sotëm të bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, kryeministri kosovar, Isa Mustafa ka thënë se është biseduar për implementimin e marrëveshjeve të mëparshme, si dhe për marrëveshjen për Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Sipas Mustafës, Asociacionin mund të themelohet vetëm në pajtim me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.
“Asgjë nuk do të funksionojë në Kosovë përveç nëse nuk është në pajtim me vendimet e Gjykatës Kushtetuese”, ka thënë Mustafa pas takimit,
Kur bëhet fjalë për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të Serbisë, Mustafa ka thënë se ato mund të mbahen në territorin e Kosovës vetëm në pajtim me ligjet e Kosovës.
“Do të respektojmë të drejtën e serbëve për të votuar, por në pajtim me ligjet e Kosovës”, ka thënë ai.
Sipas tij, sonte nuk është arritur marrëveshje për kurrfarë afatesh për fillimin e punës për statutin e Asociacionit.