Pas një viti me protesta dhe bllokada të vazhdueshme nga opozita, kryeministri i Kosovës Isa Mustafa është i bindur se qeveria që ai drejton do t’ia dalë që në vitin e dytë të krijojë më shumë stabilitet politik dhe të realizojë premtimet e dhëna para zgjedhjeve.
Në një intervistë për Top Channel, Mustafa vlerëson se pavarësisht sfidave të vazhdueshme, qeveria ka arritur të realizojë reformën fiskale, të punësojë mbi 15 mijë qytetarë, ndërsa pas këtyre reformave, sipas tij, në vitin 2016 rritja ekonomike do të jetë mbi 4 për qind.
“Tani, unë shpresoj tek reforma fiskale që kemi bërë; tek nënshkrimi i marrëveshjes për ndërtimin e termocentralit të ri me vlerë 1 miliard euro; si dhe tek projekti i Brezovicës, që është zgjatur deri më 31 maj, që të kompletohet dhe të nisë realizimi i tij. Gjithashtu, përgatitjet që kemi bërë për aktivizimin e Trepçës, por edhe masat mbështetëse që kemi marrë për bujqësinë dhe biznesin e vogël me subvencione dhe forma të tjera financimi, janë të rëndësishme për vitin e ardhshëm, në mënyrë që të kemi një rritje më të shpejtë ekonomike”, deklaron Mustafa.
Kreu i ekzekutivit kosovar vlerëson se vendimi i Gjykatës Kushtetuese për Asociacionin e Komunave Serbe ka hapur një rrugë të sigurtë për vazhdimin e hartimit të statutit për këtë bashkësi, sipas marrëveshjeve dhe bisedimeve në Bruksel.
“Unë mendoj se vendimi i gjykatës vetëm sa e ka forcuar legjitimitetin e qeverisë, sepse ne, kur nënshkruam marrëveshjen në Bruksel kemi thënë se do t’i jepet për shqyrtim edhe Gjykatës Kushtetuese. Gjykata ka vlerësuar se marrëveshja, në disa pjesë të saj nuk është tërësisht në përputhje me frymën e Kushtetutës, por jo me nene të veçanta. Tani, gjatë hartimit të statutit të asociacionit duhet që gjithçka të miratohet në përputhje me Kushtetutën dhe dispozitat e saj dhe ne atë do të bëjmë”, thotë Mustafa.
Mustafa ka ftuar partitë opozitare që të respektojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe të ndalin dhunën brenda institucioneve e jashtë tyre, duke i ftuar sërish që mos të kërkojnë zgjedhje por të kontribuojnë brenda institucioneve.
“Unë mendoj se opozita nuk ka të drejtë të bëjë një kërkesë të tillë. Po ashtu, mendoj se opozita duhet të përgatitet për zgjedhje në vitin 2018, sepse qeveria nuk ka ndërmend të japë dorëheqje dhe as të shkojë në zgjedhje para këtij viti”, thotë kryeministri kosovar.
Duke folur për raportet brenda koalicionit qeveritar dhe mundësisë së ndonjë rrokade në pozitat kryesore drejtuese në vend, Mustafa shprehet i bindur se marrëveshja po zbatohet tërësisht dhe sipas tij kryetari i PDK-së, Hashim Thaçi, në muajt e parë të vitit 2016 do të zgjedhet President i Kosovës.
“Ne nuk e kemi shqyrtuar në asnjë moment mundësinë e rrokadave. Ne jemi zotuar se do ta respektojmë tërësisht marrëveshjen e koalicionit dhe në këto muaj zoti Thaçi duhet të zgjidhet president i vendit. Unë jam shumë i bindur se zoti Thaçi do t’i ketë votat, edhe të LDK-së edhe të PDK-së, por edhe të partnerëve tjerë të koaliconit. Kjo do të kryhet dhe mendoj se pastaj do të kemi sërish një bashkërenditje, një koordinim të mirë të punëve ndërmjet qeverisë, Parlamentit, presidentit dhe institucioneve të tjera të pavarura”, përfundon Mustafa.