Pak orë pasi ka dhënë dorëheqjen është arrestuar drejtori i Spitalit të Gjilanit, Abdulatif Latifi.
Së bashku me të janë arrestuar edhe katër zyrtarë të tjerë të këtij spitali. Arrestimin e pesë zyrtarëve të Spitalit të Gjilanit e ka konfirmuar kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Gjilan, Jetish Maloku, shkruan sot Koha Ditore.
“Janë arrestuar Abdulatif Latifi, drejtor i dorëhequr në Spitalin e Gjilanit, Enver Rexha, shef i barnatores qendrore në Spitalin e Gjilanit, Qani Azemi, shef i shërbimit teknik në këtë spital, Isak Isaku dhe Avdulla Uruqi, punëtorë në impiantin për asgjësimin e mbetjeve farmaceutike“, ka thënë ai. Jetishi ka deklaruar se ata dyshohen për tri vepra të ndryshme penale.
“Janë ndaluar për 48 orë, për shkak të dyshimit se ka pasur shkatërrim të kundërligjshëm të barnave me afat të skaduar, mbi 4 tonë”, ka thënë Maloku. Ka shpjeguar se aksioni ka qenë i koordinuar me Policinë e Krimeve Ekonomike në Prishtinë.
“Pas një hetimi që kanë bërë Policia e Krimeve Ekonomike dhe ajo për Korrupsion në Spitalin e Gjilanit kanë hasur në dyshime se këta zyrtarë pa leje të MSh-së e kanë shpërdorur pozitën zyrtare”, ka sqaruar ai në orët e vona të së hënës.
Burime të “Kohës Ditore” kanë bërë të ditur se në asgjësimin e barnave janë shpenzuar shumë para dhe se kushtet për asgjësim kanë qenë të papërshtatshme. Sipas këtyre burimeve, shkatërrimi i barnave përveçqë ka qenë i jashtëligjshëm, ka rrezikuar edhe jetën e qytetarëve.
Këtë e ka konfirmuar edhe kryeprokurori Maloku.
“Po, ka dyshime se ky asgjësim ka mundur të këtë pasoja fatale, pasi që nuk është bërë sipas rregullave”, ka thënë ai.