Lajmet e fundit

Ish-Kryetari i Kamenicës Përsëri në Gjykatë

17 ditë pasi u lirua nga akuzat për shpërdorim të detyrës zyrtare, Shaip Surdulli doli përsëri dje para gjykatës.

Në procesin e ri që nisi ndaj tij, ish-kryetari i Kamenicës Shaip Surdulli akuzohet nga Prokuroria Themelore në Gjilan se lidhi kontratë me një operator të telefonisë mobile për kartela grithëse, pa hapur tender.

Surdulli akuzohet se në shkurt të vitit 2013 ka keqpërdorur pozitën apo autoritetin e tij zyrtar me qëllim të përfitimit të çfarëdo dobie pasurore për vete apo personin tjetër, duke lidhur kontratë me operatorin IPKO me çmimin prej 1,665 euro ne muaj duke i anashkaluar të gjitha procedurat e prokurimit.

Në seancën e djeshme dëshmuan Sadik Thaçi që ishte menaxher i prokurim,it në Komunën e Kamenicës dhe eksperti financiar Riza Blakaj.

Prokurori Agron Uka e pyeti ekspertin Blakaj se kush ka pësuar dëm në marrëveshjen e arritur me IPKO-n.

Blakaj tha se në bazë të konstatimit tim nuk ka pasur ndonjë palë që është dëmtuar në këtë rast.

Pastaj Surdullin e mori në pyetje avokati i tij Vaxhid Idrizi.

Idrizi e pyeti klientin e tij se a ndihet fajtor për akuzën me të cilën ngarkohet dhe a ka përfituar materialisht nga nënshkrimi i kontratës.

“Nuk e ndjej veten fajtor, pasi që qëllimi im nuk ka qenë të përfitoj dobi pasurore e as t’i shkaktoj dikujt dëm material,” tha Surdulli.

Pas seancës, ish-kryetari Surdulli tha për KALLXO.com se për kontrata të tilla me kartela nuk hapet tender.

“Jo që s’kam qenë i njoftuar me ligjin e prokurimit, apo me procedurat, por për këtë rast për shërbimet e kartelave grithëse për disa zyrtarë komunalë, asnjëherë nuk ka qenë praktike që të shpallet tender dhe kjo çështje të rregullohet me procedura të tenderimit, por gjithmonë është marrë një vendim nga kryetari i komunës,qoftë nga unë, qoftë nga ish-kryetari, apo kryetari aktual që është tash,” tha Surdulli.

Surdulli tha se për këtë kontratë as auditori i brendshëm, as i jashtëm nuk ka vërejtur ndonjë shkelje procedurale “se po të kisha pasur së paku dijeni nga dikush, unë nuk do të kisha leju vetë që të veprohet në këtë mënyrë, por do të ishin respektu procedurat e prokurimit”.

Seanca e radhës u caktua më 23 nëntor.

Më 2 nëntor, Shaip Surdulli u shpall i pafajshëm në një proces tjetër po për akuzat e keqpërdorimit të pozitës zyrtare në projektin e pastrimit të shtratit të lumit Krivareka.

Leave a Reply

Your email address will not be published.