Veprimet ekstreme të Shtetit Islamik duken se nuk kanë të sosur.
Së fundi mësohet se grupi xhihadist ka sanksionuar me një ligj të pazbuluar deri më parë, mbledhjen e organeve jetike humane, çka ka rritur edhe më tepër shqetësimet e ndërkombëtarëve mbi trafikimin e pjesëve të ndryshme të trupave njerëzore.
Vendimi i marrë më 31 janar të këtij viti, i cili është siguruar nga “Reuters”, tregon se marrja e organeve nga pengjet e gjalla për të shpëtuar një jetë myslimani, edhe nëse kjo do të rezultojë fatale për pengun, është e lejueshme, transmeton “Top Channel”.
Agjencia e lajmeve nuk mund ta konfirmojë në mënyrë të pavarur autenticitetin e këtij dokumenti, por ofron edhe një ndërlidhje në faqen online të tij me versionin e dokumentit të përkthyer nga qeveria amerikane. Zyrtarë të SHBA-ve thonë se dokumenti është gjetur mes një grumbulli të dhënash dhe informacionesh të tjera të siguruara nga forcat speciale amerikane, pas një bastisjeje të kryer në lindje të Sirisë në maj.
“Jeta e mohuesve të fesë dhe organet e tyre nuk mund të respektohen, ndaj duhen marrë me çdo mënyrë pasi kjo është e pandëshkueshme”, thuhet në dokumentin e shkruar në formën e një “fatwa”-je, apo ligji fetar islamik, nga Komiteti i “Fatwa”-së dhe Kërkimit i Shtetit Islamik.
“Edhe heqja e organeve jetike të pengjeve, që mund të rezultojnë me humbjen e jetës së tyre, nuk është e ndaluar”, thuhet në nenin 68 të këtij ligji, sipas përkthimit të bërë nga qeveria amerikane.
Dokumenti nuk ofron ndonjë provë nëse Shteti Islamik është i përfshirë aktualisht në rrëmbimin apo trafikimin e organeve. Por, ai jep sanksionin fetar për ta bërë diçka të tillë bazuar mbi interpretimin ekstrem të Islamit sipas këtij grupi, gjë që në fakt është refuzuar nga shumica e myslimanëve anembanë botës.
Më herët, Iraku kishte akuzuar Shtetin Islamik për rrëmbimin e organeve njerëzore për t’i trafikuar me qëllime përfitimi. Dokumenti nuk e përcakton se cili konsiderohet “femohues”, ndaj deri më tani militantët e Shtetit Islamik kanë vrarë apo burgosur të krishterë, myslimanë shiitë apo edhe myslimanë suni të cilët nuk ndjekin pikëpamjet ekstremiste të tyre.