Lajmet e fundit
ISIS nxjerr në shitje pengjet nga Norvegjia e Kina

ISIS nxjerr në shitje pengjet nga Norvegjia e Kina

Shteti Islamik ka ndryshuar taktikë, përsa i përket pengjeve të tij. Në revistën e tyre online, Dabiq, anëtarët e xhihadistëve në Siri postuan fotot e dy pengjeve më të fundit, njëri norvegjez nga Oslo, 48 vjeç, i njohur si Ole Johan Grimsgaard-Ofstad; dhe një 50-vjeçar nga Pekini i Kinës, i njohur si Fan Jinghui.

Në broshurën e revistës, pengjet kanë dalë në foto të veshur në të verdha, ku jepen edhe gjeneralitetet, puna që bëjnë, madje edhe adresa ku banojnë. Gjithashtu, në të është publikuar edhe një haraç, i kërkuar nga terroristët përkundrejt shteteve përkatëse të pengjeve, si dhe një mesazh poshtë fotos së gjithsecilit, ku shkruhet: “I braktisur nga qeveria e tij, e cila nuk bëri asgjë për lirinë e tyre”.

Kryeministrja norvegjeze, Erna Solberg, gjatë një konference për shtyp e konfirmoi lajmin e publikuar online. “Rrëmbyesit – tha ajo, – kanë kontaktuar me ne disa herë, duke na kërkuar një pagesë, të cilën qeveria ka vendosur të mos e bëjë. Ne nuk mund të pranojmë presione nga terroristë dhe kriminelë”, përfundoi ajo.

Sipas kryeministres, Ole Johan Grimsgaard-Ofstad është marrë peng në muajin janar dhe autoritetet e vendit po bashkëpunojnë me aleatë në vende të tjera mbi çështjen, që mbetet tejet delikate.

Edhe në profilin e Ofstadit në Facebook, postimi i fundit daton më 24 janar, teksa ndan vendndodhjen në Binnish të Sirisë. Ndërkaq, nga ana e qeverisë kineze nuk ka ende asnjë reagim mbi ngjarjen.

Leave a Reply

Your email address will not be published.