Drejtori i KDI-së, Ismet Kryeziu ka reaguar pas asaj që deputeti i LDK-së, Armend Zemaj e ka pranuar publikisht se ka gjuajtur me gotë në drejtim të deputetëve të opozitës. Kryeziu ka thënë se pas këtij gjesti jo parlamentar dhe i dënuar si veprim, duhet të reagojnë institucionet e shtetit dhe të ndodh një distancim nga ana e kryetarit të Kuvendit dhe Kryeministrit.
Ky është shënimi i tij i plotë:
Armend Zemaj, deputet nga radhët e LDK-së ka pranuar publikisht, se ka gjuajtur deputet e opozitës me gotë qelqi.
Të rrezikosh jetën e tjetrit, jo vetëm që nuk është veprim parlamentar, por është i sanksionuar dhe i dënuar si veprim.
Veprimi i Zemaj-t, duhet të nxisë veprimin e organeve kompetente, por dhe reagimin e distancimin nga ana e Kryetarit të Kuvendit, Kryeministrit të Kosovës dhe Grupit Parlamentar të LDK-së.
Dy të parët e këtyre institucioneve kryesore në vend, me kompetencën dhe fuqinë institucionale, kanë privilegje që të kanë jetën e tyre shumë më të garantuar, për dallim nga deputet apo dhe ministrat. Por ata veçmas privilegjeve kanë dhe përgjegjësi, për të garantuar jo vetëm jetën e tyre personale, por dhe të deputetëve e të qytetarëve.
Pushteti dhe të gjithë mekanizmat shtetërorë duke përfshirë dhe deputetët e partive shumicë, duhet të garantojnë jetën dhe veprimtarinë e deputetëve të opozitës.