Rreziku nga terrorizmi dhe ekstremizmi i dhunshëm ka sjellë në Tiranë ministrin italian të drejtësisë, Andrea Orlando, i cili po zhvillon një seri takimesh me autoritetet shqiptare.
Së pari zoti Orlando është takuar me ministrin e Brendshëm të Shqipërisë Saimir Tahiri, me të cilin ka biseduar mbi mënyrat e bashkëpunimit për t’i bërë kontrast këtyre fenomeneve.
“Kemi një bashkëpunim intensiv me autoritetet italiane, veçanërisht kundër krimit të organizuar dhe terrorizmit, por edhe në sfidat që kanë prekur rajonin dhe Bashkimin Europian”, ka deklaruar Tahiri në konferencën e përbashkët për shtyp.
Ai ka bërë me dije se, “në takim kemi shkëmbyer pikëpamje për çështje që shqetësojnë të dyja vendet, në kuadër të bashkëpunimit të shkëlqyer që kemi pasur deri më sot, por mbi të gjitha kundër terrorizmit”.
“E kemi ndarë mendjen se ajo që kemi bërë është rezultati më i mirë për të siguruar mbarëvajtjen e sukseshme. Shpresojmë të kemi rezultate të qëndrueshme duke ndërtuar kapacitete të duhura njerëzore dhe infrastrukturore”, ka vijuar Tahiri.
Ndonëse është shprehur i vetëdijshëm që “këto sfida janë të tilla që nuk njohin kufij”, ministri shqiptar ka shprehur dhe dëshirën që “bashkëpunimi mes dy vendeve dhe agjencive ligjzbatuese të prodhojë atë që duan qytetarët shqiptarë dhe ata italianë në luftën kundër terrorizmit”.
“Kemi biseduar për sfidat e përbashkëta, hapat konkretë të ndërmarrë dhe hapat që duhen ndërmarrë”, ka shtuar Tahiri.
Ndërsa ministri Orlando, në fjalën e tij ka nënvizuar nevojën që “bashkëpunimin e shkëlqyer” që dy vendet kanë në luftën kundër krimit ta vënë në shërbim edhe të luftës ndaj terrorizmit.
“Këtë bashkëpunim duhet ta vëmë në shërbim të luftës kundër emigracionit klandestin dhe terrorizmit xhihadist”, ka thënë Orlando.
Ai ka sqaruar se, “këtu nuk bëhet fjalë për të përmbushur sisteme ligjore, por për të koordinuar kompetencat mes dy subjekteve të ndryshme”.
“Plani i veprimit konsiston në 3 pika: shkëmbimin e informacioneve, përgatitjen e operatorëve të gjyqësorit dhe policisë dhe reagimi i përbashkët”, ka thënë Orlando.
Një element tjetër i rëndësishëm, sipas tij, është ekzekutimi i dënimit me burg. “Në këtë kuadër mendoj se këto masa që parashtrova mund të aplikohen, me qëllim parandalimin e fenomenit të radikalizimit, që si në Itali dhe në Shqipëri po vihen re”, ka thënë Orlando.
Ai ka vlerësuar më tej se, “qeveria shqiptare ka shprehur vullnet të qartë në këtë drejtim” dhe për këtë e ka falenderuar posaçërisht.