Lajmet e fundit

Ivanoviq: Kam kontribuuar në hapjen e urës, edhe pse serbët nuk janë pajtuar

Lideri i Iniciativës Qytetare ‘Serbia, Demokracia, Drejtësia’ (SDP) Oliver Ivanoviq, ka vazhduar dëshminë e tij të martën në Gjykatën Themelore në veri të Mitrovicës, lidhur me akuzat e ngritura ndaj tij dhe katër personave tjerë të dyshuar për krime lufte të kryera gjatë viteve 1999 – 2000 në Mitrovicë.

Ivanoviq, duke iu përgjigjur pyetjeve të prokurorit, Romulo Mateus, dha dëshmi për pafajësinë e tij, duke thënë se në shumë ngjarje, ku sipas aktakuzës ka marrë pjesë në vepra të ndryshme, ai nuk ka qenë fare.

Ivanoviq që në atë kohë ishte zëvendës drejtor i Ferronikelit, ka bërë të ditur se pas bombardimit të fabrikës nga ana e NATO-s, shqiptarët kishin braktisur punën.

Duke iu përgjigjur pyetjes së prokurorit për aktivitetet e tij si pjesë rezervë që ishte gjatë ushtrimeve policore, Ivanoviq tha se detyrat kryesore të pjesëtarëve rezervë të policisë kanë qenë kryesisht ruajtja e objekteve të ndryshme, ndërsa sqaroi se asnjëherë gjatë këtyre ushtrimeve nuk kishte bartur ndonjë armë apo radio-lidhje.

Prokurori Mateus theksoi se ka kontradikta të deklaratave të Ivanoviqit rreth disa ngjarjeve të cilat ai i ka shpjeguar gjatë përgjigjeve të pyetjeve nga avokati që u bënë dje me përgjigjet e sotme, duke përkujtuar me theks të pandehurin për disa deklarata të tij publike dhënë mediave të huaja si ‘New York Times’, Independent etj.

“Vërtetë nuk më kujtohet dhe nuk di pse duhet komentuar deklaratat e mia para mediave të dhëna para shumë viteve. Kam dhënë më shumë se 20 mijë deklarata”, ka thënë mes tjerash Ivanoviq.

Në lidhje me të ashtuquajturën ‘Rrojat e urës’, ai u shpreh se nuk i di emrat e atyre që kanë udhëhequr me grupacione të kësaj organizate dhe nuk i kujtohet mënyra e patrullimeve të tyre.

Ai ka potencuar se ka pasur takime të shpeshta me KFOR-in dhe UNMIK-un sa herë që është tensionuar gjendja dhe ka pasur nevojë, dhe gjithmonë në përpjekje për të stabilizuar situatën.

“Unë kam kontribuuar në hapjen e urës, e jo në mbylljen e saj, edhe pse 90 për qind e popullatës serbe nuk janë pajtuar me mua. Në takimet me KFOR-in, policinë etj. asnjëherë dhe askush nuk më ka pyetur për aktivitetet e mia, sepse aty s’ka pasur asnjë dilemë”, tha Ivanoviq, duke shtuar se është takuar edhe me shumë presidentë e kryeministra shtetesh vetëm për ta përmirësuar gjendjen e përgjithshme në këtë pjesë.

Ndërkaq, prokurori Mateus pas pyetjeve të shumta, është përpjekur që në fund me një fjali ta përkufizoj personalitetin e të pandehurit.

“Kemi një person të fuqishëm dhe plot autoritet kur bëhet fjalë për kontakte, bisedime mes palësh, bashkim urash etj, ndërsa kur janë masakruar dhe vrarë njerëzit, i njëjti person është krejtësisht anash”, ka thënë Mateus.

Në anën tjetër, avokatët e Ivanoviqit, Nebojsha Vllajiq dhe Kërstimir Pantoviq, janë shprehur të kënaqur me dëshminë e klientit të tyre, duke shpresuar në lirimin e tij.

Leave a Reply

Your email address will not be published.