Lajmet e fundit
Izraeli dhe rasti i Kosovës: Ndëshkohen miqtë, shpërblehen armiqtë!

Izraeli dhe rasti i Kosovës: Ndëshkohen miqtë, shpërblehen armiqtë!

Shkruan: Denis Macshane Monumenti është i një thjeshtësie të përsosur. Një pllakë e sheshtë dhe vertikale mermeri. Në gjuhën shqipe, serbe, hebraishte dhe anglishte, ajo shënon vendin ku qëndronte sinagoga e fundit në Prishtinë. Në Kosovë, prania e hebrenjve është e vogël, por ka qenë konstante që nga dita fatale më 1492, kur monarkët katolikë të Spanjës urdhëruan dëbimin e hebrenjve. Shumë prej tyre u vendosën në Ballkan, duke jetuar në heshtje si qytetarë të klasit të dytë nën sundimin osman, deri në rritjen e ideologjisë anti-semite si politikë e organizuar në Evropë. Hebrenjtë e Jugosllavisë së para vitit 1939, vuanin jo vetëm nga ardhja e nazistëve në vitin 1941, por edhe nga anti-semitët e deklaruar ushtashë kroatë. Në Serbi, bosi lokal i Gestapos në Beograd, raportoi në Berlin në gusht të vitit 1942: “Serbien ist judenfrei” (Serbia është lirë nga çifutët) – e para nga vendet e pushtuara të perandorisë naziste që liroi veten nga hebrenjtë. Një strehë e përkohshme për ta ishte në Kosovë, e cila kishte qenë e pushtuar nga Italia sipas një marrëveshjeje midis Hitlerit dhe Musolinit. Shqiptarët kosovarë vazhduan traditën që nga koha osmane të strehimit, përfshirë këtu edhe hebrenjtë. Ishte kjo një shtyrje e shkurtë dhe e përkohshme e kohës gjatë tërbimit të Holokaustit. Kur gjermanët u zhvendosën në jug nëpërmjet Ballkanit në Greqi, ata sollën me vete gjithë aparatin e zhdukjes, dhe hebrenjtë që jetonin në Kosovë gjithashtu u zhdukën. Sot ekziston një komunitet i vogël hebre prej një duzine në Kosovë, por mbahet mend prezenca e tyre, si pjesë e historisë kosovare. Në një ceremoni mbresëlënëse në Prishtinë, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, foli për nevojën për të mësuar nga forca e hebrenjve për pajtimin. Një diplomat i lartë izraelit, ambasadori Yossef Levy, vendosi një kurorë lulesh, së bashku me presidenten e Kosovës. Sinagoga e vogël qëndroi në Prishtinë deri në vitin 1963, kur u rrafshua nga buldozerët e sundimtarëve komunistë, për të hapur rrugën e brutalitetit të arkitekturës socrealiste të Jugosllavisë së Titos. Tani janë planet për të ndërtuar një muze të historisë së hebrenjve të Kosovës, ndërsa arkitekti anglo-izraelit, Ron Arad, është porositur për të hartuar planet. Sot Kosova është një vend i vogël, një komb i pavarur në kërkim për pajtim dhe njohje, sikur kombet e tjera të vogla që dolën nga Jugosllavia: Kroacia, Mali i Zi apo Maqedonia. Ajo është e varfër dhe politika e saj është e dominuar nga personalitetet e luftës çlirimtare të viteve 1998-1999. Kosova ka vendosur marrëdhënie diplomatike me rreth 100 shtete të tjera, pavarësisht një kundër-ofensive diplomatike nga Serbia dhe Rusia, e cila kurrë nuk e ka falur Perëndimin për sulmet ushtarake ndaj të përkëdhelurit të Ballkanit, Slobodan Milosevicit. Të gjitha demokracitë e mëdha në Evropë dhe në Amerikën e Veriut e kanë njohur Kosovën. Të fundit që kanë njohur Kosovën janë Tanzania dhe Jemeni. Ka kundërshtarë si Qipro dhe Greqia, që kanë lidhje të ngushta me Kishën Ortodokse serbe. Por, kundërshtari më i çuditshëm dhe më i palogjikshëm i njohjes është Izraeli. Në një kthesë të habitshme të diplomacisë normale, qasja e Izraelit ndaj Kosovë është për të ndëshkuar miqtë e saj dhe për shpërblyer armiqtë e vet. Pavarësisht pranimit të ngrohtë të ambasadorit Levy, Izraeli qëndron me shumë pran armiqve të vet në mos njohjen e Kosovës. Për vite me radhë, diplomatët perëndimorë u kanë bërë thirrje vendeve arabe që të krijojnë marrëdhënie normale diplomatike me Izraelin. Edhe në kulmin e armiqësisë franko-gjermane, kur Gjermania ka pushtuar dhe ka aneksuar rajonin Alsace-Lorraine të Francës lindore, Berlini dhe Parisi i kanë ruajtur lidhjet diplomatike. Pra, pse Izraeli irriton miqtë e saj duke refuzuar të njohë Kosovën? Arsyeja formale është se nëse e njohin Kosovën, kjo mund të nxisë njohjet e shtetit palestinez. Megjithatë, shumë shtete që janë në krye të shtytjes së njohjes diplomatike të Palestinës – për shembull Brazili dhe Afrika e Jugut – janë ato që më së shumti refuzojnë ta njohin Kosovën. Ndryshe nga Palestina, Kosova ushtron autoritetin mbi një zonë të caktuar gjeografike, me kufij të qartë. Nën presionin e Bashkimit Evropian, Beogradi pranon tash se nuk do të ketë rishikim të kufijve të Kosovës, edhe në qoftë se ka mosmarrëveshje mbi shkallën e autonomisë në rajonin e populluar me serbë në veri të Kosovës. Kisha Ortodokse ka dioqeza dhe manastire në Kosovë dhe ndërkohë që nuk ka dashuri në mes të shqiptarëve kosovarë dhe serbëve kosovarë, ekziston një bashkë-ekzistencë e zymtë e ngjashme me fërkimet në mes të komuniteteve të katolikëve nacionalistë dhe unionistëve protestantë në Irlandën e Veriut. Ka shumë territore të tjera të kontestuara apo të pushtuara, e për të përmendur disa ato anë që nga Qiproja veriore e deri te enklavat spanjolle në Maroko, pastaj Kashmiri, Nagorno-Karabukhu apo Abkhazia. Nëse Izraeli refuzon njohjen diplomatike të vendeve ku kufijtë janë në pikëpyetje, atëherë duhet të mbyllë shumë ambasada. Kosova ka nevojë për të zhvilluar ekonominë e saj, të ketë qasje në kredi ndërkombëtare, të jetë e hapur ndaj investitorëve të huaj për të eksploruar burimet e saj minerale dhe për të zhvilluar turizmin në luginat e gjelbëruara me hir në rajonin më të paprishur të Evropës. Për ta bërë këtë, ajo ka nevojë të luajë një rol të plotë në organet ndërkombëtare, që nga Banka Botërore e deri te Këshilli i Evropës. Refuzimi idhnak i Rusisë për ta lejuar Kosovën që të hyjë në OKB mund t’i bëjë diplomatët e Moskës të ndihen të fortë, por kjo është qesharake, njëjtë sikur refuzimi amerikan për të njohur Kinën komuniste deri në vizitën e Nixonit në vitin 1973, apo shtyrja deri në vitin 1950 dhe shkarkimi i Sekretarit të Jashtëm anti-zionist, Ernest Bevin, që Britania të niste marrëdhëniet diplomatike me Izraelin. Hidhërimi serbo-rus për pavarësinë e Kosovës është një diplomaci kundër-produktive. Dikush mund të kuptojë pse qeveritë anti-perëndimore e miratojnë atë, por mos pranimi i Kosovës nga Izraeli nuk ka kuptim. Kosova është mik i natyrshëm i Izraelit dhe diplomacia izraelite duhet ta njoh këtë fakt. (Ky koment është botuar në ditoren izraelite “The Jerusalem Post”. Autori është ish ministër i Jashtëm i Britanisë së Madhe dhe autor i librave “Globalising hatret: the New Antisemitism” (2008) dhe “Why Kosovo Still Matters” (2011))

Leave a Reply

Your email address will not be published.