Lajmet e fundit

Ja çfarë shkruan nga burgu i Lipjanit Faton Topalli

Qeveria
Lehtësia me të cilën kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, nënshkroi marrëveshjen me Serbinë për Asociacionin e Komunave Serbe i doli të jetë një arrë e fortë. Injorimi i zërit të opozitës për t’u tërhequr nga Marrëveshja e dëmshme për Kosovën, mospërfillja e 205,254 nënshkrimeve të qytetarëve për anulimin e tyre sollën një situatë të rëndë dhe të pakalueshme për vendin. Bilanci i këtyre marrëveshjeve: 4 muaj bllokadë të Kuvendit të Kosovës, përjashtim të kundërligjshëm të opozitës nga seancat, arrestime dhe masa policore për 13 deputetë, mbi 180 aktivistë të arrestuar dhe të keqtrajtuar, policë dhe qytetarë të lënduar dhe intervenim me Njësitë antiterror në zyrat e subjektit më të madh opozitar në Kosovë. Qeveria e Kosovës e ndodhur përballë krizës më të madhe në vend prej përfundimit të luftës e deri më sot, nuk ka zgjidhje për të. Masat e ndërmarra dhe tentativa për ta shtypur opozitën e bëjnë Republikën e Kosovës të rrëshqasë drejt një qeverisje policore që nuk ka të bëjë asgjë me vlerat euroatlantike me të cilat e ka gojën plot kjo Qeveri.

Presidentja
Presidentja Jahjaga nuk u shkëput dot për asnjë moment nga forma se si u zgjodh. Ajo s’u shkëput dot asnjëherë prej zarfit. E gjithë puna e saj u karakterizua nga bartja e zarfit herë prej Bashkimit Evropian drejt Qeverisë dhe Kuvendit, herë prej Qeverisë drejt Bashkimit Evropian, e herë prej Qeverisë deri te Gjykata Kushtetuese. Ajo në pyetjen e saj për Gjykatën Kushtetuese ka paraqitur vetëm një pjesë të problemit lidhur me marrëveshjet e 25 gushtit me Serbinë  e jo kërkesat thelbësore të opozitës e të një mase të konsiderueshme të aktorëve të tjerë shoqërorë.
Në mbledhjen e fundit të Kuvendit të Kosovës për vitin 2015 ajo mori hapur anën e Qeverisë ngase e dalë nga zarfi ajo nuk u fuqizua kurrë, nuk luajti asnjëherë rol të baraslarguar dhe unifikues siç kërkon Kushtetuta e vendit. Për këto arsye roli i saj drejt zgjidhjes së krizës politike mbetet edhe kësaj radhe dhe në fund të mandatit të saj pa peshë.

Gjykata Kushtetuese
Gjykata Kushtetuese e dobësuar krejtësisht nga ndikimi politik përballë presionit të Qeverisë për ta paraqitur marrëveshjen konform kushtetutës së vendit. Dihet mirë se Gjykata Kushtetuese përballë presionit politik ka sjellë vendime në shërbim të pushtetit. Një prej këtyre shërbimeve është vendimi i Gjykatës Kushtetuese për të mbajtur Hashim Thaçin në pushtet përkundër faktit se partia e tij në Kuvendin e Kosovës përfaqësonte pakicën parlamentare. Në këtë kuptim vendimi i Gjykatës Kushtetuese referuar përvojës nga viti 2013 dhe 2014 nuk pritet të  ndihmojë në zgjidhjen e krizës politike, përkundrazi.
Një shenjë që na e bën me dije se do të ketë vendim që i shkon përshtat Mustafës e Thaçit është moskonsultimi me Komisionin e Venecias nga ana e Gjykatës Kushtetuese. Ata i kanë edhe mundësitë edhe mandatin për t’iu drejtuar këtij Komisioni, por nuk e kanë bërë e me sa po duket nuk duan ta bëjnë.

Kushtetuta
Kushtetuta është akti më i lartë juridik i një vendi. Ajo përcakton vlerat dhe normat themelore të një shoqërie. Ajo është një marrëveshje politike e një shoqërie e cila përcakton për vetveten mënyrën se si dëshiron të jetë një shoqëri. Në raste të veçanta edhe mund të sillen vendime politike, siç është marrëveshja e 25 gushtit, të cilat edhe po të jenë hipotetikisht konform Kushtetutës sa i takon anës formale, çfarë nuk është në këtë rast, nuk duhet të implementohen nëse janë në kundërshtim me interesin themelor të vendit. Gjithçka që është e drejtë ligjore qoftë dhe kushtetuese nuk do të thotë që automatikisht është e drejtë që përfaqëson interesin konkret shoqëror. Sa për analogji duhet theksuar se mijëra shqiptarë u dënuan nga ana e pushtetit serb në Kosovë sipas ligjit dhe Kushtetutës në fuqi, por ato dënime ishin në kundërshtim flagrant me të drejtat e njeriut dhe me interesin e qytetarëve të Kosovës.
Nisur nga kjo situatë e krijuar edhe rastin e një vendimi pro marrëveshjes së Kryeministrit Mustafa me Vuçiçin, marrëveshja me Serbinë për shkak të shkeljes së interesave themelore të vendit do të duhej të anulohej  dhe të krijoheshin kushte që këto interesa të normalizohen në Kushtetutë për të mos dëmtuar këto interesa.

Me votë apo protestë?
Rruga e Mustafës dhe Thaçit për marrëveshjen e 25 gushtit me Serbinë është rrugë pa fund. Në këto kushte dhe rrethana të dy eksponentët e të dy partive në Kosovë do të duhej t’i krijonin mundësi vendit për të dalë kriza që kanë shkaktuar. Në fund të fundit qytetaria do të vendosë vetë. Varet krejtësisht prej tyre se a do të përcaktohen ta marrin vendimin e qytetarisë me votë apo me protesta.

Leave a Reply

Your email address will not be published.