Presidenti i Republikës, Bujar Nishani thirri dhe zhvilloi dje (e shtunë) mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare. Kjo pas situatës së krijuar në rang global si pasojë e sulmeve terroriste të kohëve të fundit në Paris, në Mali…
Sipas një njoftimi të shpërndarë nga Presidenca, Kreu i Shtetit dhe njëkohësisht Komandanti i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura pasi vuri në dukje dimensionin politik dhe ideologjik të kësaj lufte të re, theksoi se në këtë situatë kërcënuese, edhe Shqipëria si anëtare e NATO-s, vend kandidat për në Bashkimin Evropian dhe aleat i koalicionit ndërkombëtar kundër terrorizmit ka detyrimet dhe përgjegjësitë e veta përkatëse.
Presidenti Nishani vlerësoi masat e marra nga qeveria si dhe angazhimet shumë serioze të agjencive ligjzbatuese në vend për të bashkërenduar veprimet konkrete edhe me partnerët në luftën kundër terrorizmit ndërkombëtar.
Kreu i Shtetit vuri në dukje se në vijim të konkluzioneve të Këshillit Evropian për luftën kundër terrorizmit, Shqipëria është plotësisht e angazhuar për kontrollin e kufijve në rast të ndryshimit të fluksit të korridorit të emigrantëve dhe për parandalimin e trafikimit të armëve, edhe në kuadër të platformave rajonalë për këtë qëllim.
Në përfundim, Presidenti Nishani nënvizoi nevojën se në këtë lloj situate institucionet e shtetit duhen të lëshojnë mbi të gjitha mesazhe të palëkundura garancie dhe stabiliteti për t’i siguruar qytetarët se nuk ka vend për panik dhe se janë marrë masat e nevojshme parandaluese dhe se janë ngritur dhe janë plotësisht operacionalë mekanizmat e reagimit e të përballjes me rrezikun e sulmeve të mundshme.