Liderët e tri partive opozitare, Vetëvendosje, AAK dhe Nisma u mblodhën mbrëmë në selinë e AAK-së për të harmonizuar veprimet deri në protestën e paralajmëruar më 9 janar.
Për këtë takim nuk u dhanë detaje tjera, por Indeksonline nga burime brenda takimit mëson se çfarë u diskutua aty.
“Në vazhdën e aktiviteteve për organizimin sa më të mirë të protestës së 9 janarit kundër Qeverisë së Kosovës dhe për Republikën, më 5 janar do të mblidhen strukturat e të rinjve të të tri partive”, thonë këto burime.
Ky takim pritet të mbahet në Sallën e Kuqe në kryeqytet dhe aty do të flasin edhe liderët e tri partive opozitare.
“Po ashtu gjatë kësaj periudhë do të ketë takime intensive në të gjitha komunat me strukturat e partive në mënyrë që të mobilizohen anëtarët dhe simpatizantët për 9 janar”, thonë tutje burimet e Indeksonline brenda opozitës.
Në anën tjetër, një ditë para protestës, më 8 janar, deputetët opozitarë do të mbajnë konferenca për media.
Protesta e 9 janarit, sipas opozitës, është revoltë kundër marrëveshjes për Asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe kundër demarkacionit me Malin e Zi. Kjo protestë, sipas liderëve opozitar, është edhe për dorëheqjen e Qeverisë, pasi që ata konsiderojnë që është shkelur Kushtetuta.