Qeveria e Republikës së Kosovës, e udhëhequr nga kryeministri Isa Mustafa, mbajti mbledhjen e 67-të, të rregullt. Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, në këtë mbledhje të fundit të Qeverisë për vitin 2015, ka falënderuar të gjithë anëtarët e Qeverisë për punën shumë të përkushtuar dhe të angazhuar që kanë bërë gjatë këtij viti, thuhet në një kumtesë drejtuar mediave.
“Ka qenë një vit shumë i ngjeshur. Unë konsideroj se ne kemi arritur që t’i realizojmë synimet tona edhe sa i përket përmbushjes së objektivave që kemi pasur me planin e punës së Qeverisë për këtë vit, edhe sa i përket programit qeveritar. Orientimi ynë ka qenë orientim zhvillimor, të hapim perspektivën zhvillimore të Kosovës. Ka qenë orientim integrues, në mënyrë që Kosovën ta integrojmë në strukturat evropiane dhe euroatlantike. Ka qenë orientim demokratik, sepse jemi angazhuar që të gjitha proceset t’i zhvillojmë me procedura demokratike dhe të ngrisim nivelin e demokratizimit të shoqërisë, dhe po ashtu ka qenë orientim i integrimit të brendshëm sepse kemi bërë përpjekje maksimale që të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës t’i integrojmë në institucionet e Republikës së Kosovës dhe që ata të jenë pjesë e vendimmarrjes dhe pjesë e të ardhmes tonë”, tha kryeministri.
Kryeministri Mustafa, i ka falënderuar shumë dhe i ka uruar shëndet dhe shumë suksese në vitin e ardhshëm të gjithë anëtarëve të kabinetit, duke uruar që bashkërisht të realizojnë planin e punës dhe detyrat e përcaktuara nga ministritë përkatëse, raporton Indeksonline.
Zëvendëskryeministri i parë, njëherësh ministër i Punëve të Jashtme, Hashim Thaçi, ka përshëndetur punën që është bërë nga kabineti qeveritar nën udhëheqjen e kryeministrit Mustafa. “Mendoj se ka qenë një ambient jashtëzakonisht i mirë i punës, ka qenë një punë efektive, vit i reformave, e në të njëjtën kohë ka qenë edhe viti evropian për Kosovën, viti zhvillimor dhe i krijimit të vendeve të reja të punës dhe rritjes së mirëqenies sociale të qytetarëve. Natyrisht që ishte edhe vit i sfidave dhe ballafaqimeve, por ka qenë një vit i suksesit të plotë të Kosovës, natyrisht me shpresë dhe besim edhe më të madh për një sukses edhe më të fuqishëm për vitin 2016”, tha zëvendëskryeministri Thaçi.
Pika e parë e rendit të ditës që u aprovua në kabinetin qeveritar ishte Plani Vjetor i Punës së Qeverisë për vitin 2016.
Plani vjetor i punës së Qeverisë së Kosovës është koordinuar dhe përgatitur nga Zyra e Kryeministrit në bashkëpunim me Ministrinë e Financave dhe Ministrinë e Integrimit Evropian, pas pranimit të propozimeve fillestare nga të gjitha ministritë. Plani Vjetor i Punës së Qeverisë përbëhet nga pjesa e parë Tabela A, që përmban 5 prioritete strategjike të Qeverisë. Pjesa e dytë apo Tabela B, që përmban objektivat sektoriale dhe planet e ministrive si dhe dy shtojcat, Plani Vjetor i Dokumenteve Strategjike dhe Programin Legjislativ për vitin 2016.
Plani Vjetor i Punës së Qeverisë për vitin 2016 është instrumenti kryesor i cili shërben për zbatimin e prioriteteve dhe të politikave të përcaktuara në programin e punës së Qeverisë së Kosovës dhe njëkohësisht edhe mekanizmi institucional vjetor i cili shërben për të zbatuar në praktikë planin katër vjeçar të Qeverisë 2015 -2018, i cili buron nga programi i saj politik.
Plani vjetor i punës së Qeverisë për vitin 2016, specifikon masat dhe aktivitetet kryesore për arritjen e prioriteteve të Qeverisë për gjatë vitit 2016, në përputhje me objektivat dhe synimet e përcaktuara në dokumentin e programit të Qeverisë.
Qeveria e Kosovës miratoi Rregulloren për procedurat dhe kriteret për lëshimin e certifikatave shtetasve të Republikës së Kosovës, të cilët kanë marrë diploma universitare nga Universiteti i Mitrovicës së Veriut.
Po ashtu, u aprovua edhe Udhëzimi Administrativ për Përcjelljen e Emisioneve të Gazrave Serë, me të cilin rregullohet përcjellja e emisioneve të gazrave serë në Republikën e Kosovës, të dhënat për emisionet e gazrave serë, mënyrën e përgatitjes së inventarit (llogaritjes) të gazrave serë, mënyrën e verifikimit të raporteve dhe mënyra dhe koha e paraqitjes së të dhënave Agjencionit për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës.
Në mbledhjen e sotme të Qeverisë u mor vendimi për kursimin dhe ndarjen e mjeteve financiare, në pajtim me nenin 13 të Ligjit për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2015.
Kabineti qeveritar miratoi Nismën për lidhjen e Marrëveshjes për Ekstradim, ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Sllovenisë.
Po ashtu, u aprovua edhe Nisma për lidhjen e Marrëveshjes për Ndihmë të Ndërsjellë në Çështjet Penale, ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Sllovenisë.
Nisma për lidhjen e Marrëveshjes për Ekzekutim të Vendimeve Gjyqësore në Çështjet Penale, ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Sllovenisë, mori miratimin e Qeverisë.
Qeveria aprovoi Vendimin përfundimtar për shpronësimet shtesë të cilat preken nga ndërtimi i Autostradës R6 Prishtinë-Hani i Elezit, Sektori C1 dhe C2, Zonat Kadastrale: Miradi e Epërme, Komuna Fushë Kosovë, Preoc, Suhodoll, Dobtratin, Komuna Graqanicë, Konjuh, Banullë, Babush i Muhaxherëve, Gadime e Ulët, Lipjan, Marec, Smallushë, Komuna Lipjan dhe Rahovicë, Komuna Ferizaj.
U mor edhe vendimi për shqyrtimin e mëtejmë të kërkesës për shpronësim për interes publik të pronave të paluajtshme të pronarëve dhe zotëruesve të interesit të cilat preken nga ndërtimi i ndërtesave të përhershme të menaxhimit të integruar të kufirit IBM: Pika Kufitare Kapi, Komuna e Kamenicës.
Koncept dokumenti për Pronën Publike, mori aprovimin e kabinetit qeveritar. Ky koncept dokument ka për qëllim rregullimin e kësaj fushe, e cila do të ndihmojë në krijimin e infrastrukturës së përgjithshme për ndërtimin e shtetit të së drejtës dhe njëkohësisht mundëson plotësimin e obligimit të shtetit, për respektimin dhe mbrojtjen e të drejtave në pajtueshmëri me standardet ndërkombëtare.
Qeveria aprovoi edhe vendimin mbi koordinimin e Reformave të të Bërit Biznes, që ka për qëllim përmirësimin e mjedisit afarist dhe krijimin e një ekonomie që bazohet në parimet e tregut të lirë.
Nisma për lidhjen e marrëveshjes për Promovimin dhe Mbrojtjen e Investimeve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Kanadasë, u miratua në mbledhjen e sotme.
Po ashtu, Qeveria miratoi edhe Strategjinë e Kosovës për Teknologji Informative. Qëllimi i këtij dokumenti është të shtjellojë një strategji specifike për promovimin e zhvillimit të industrisë së TI-së në Kosovë në mënyrë që ta arrihet vizioni dhe synimi i përgjithshëm, që të bëhet shtytës kryesor për rritje ekonomike, punësim dhe inovacion deri në vitin 2020 përmes rritjes së konkurrueshmërisë ndërkombëtare të industrisë së TI-së në Kosovë të bazuar në ekselencë digjitale.
Në mbledhjen e sotme të Qeverisë u mor vendimi për transferin e Fitim Sadikut, nga pozita e Sekretarit të Përgjithshëm në Ministrinë e Administratës Publike në pozitën e Sekretarit të Përgjithshëm në Ministrinë e Punëve të Jashtme.
Qeveria miratoi edhe Rregulloren nr. 20/2015 për përcaktimin e procedurave për njohjen dhe verifikimin e statusit të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës çlirimtare të Kosovës.
Qëllimi i kësaj rregullore është përcaktimi i kushteve, kritereve dhe unifikimi i procedurave për njohjen dhe verifikimin e statusit të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës çlirimtare të Kosovës, si dhe organizimi i punës, funksionimi, detyrat dhe përgjegjësitë e Komisionit Qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të personave të dhunuar gjatë luftës çlirimtare të Kosovës.
Dispozitat e kësaj rregullore janë të detyrueshme për të gjithë personat fizik dhe juridik që marrin pjesë në procesin e njohjes dhe verifikimit të statusit të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës çlirimtare të Kosovës. Komisioni për verifikim do të themelohet me vendim të Qeverisë dhe përbëhet nga 9 anëtarë.
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, përkitazi me këtë rregullore tha se kanë mbetur vetëm dy-tri gjëra që të qartësohen në rregullore të cilat i ka trajtuar Zyra Ligjore dhe këshilltarët e Zyrës së Kryeministrit që kanë të bëjë më tepër me konfidencialitetin në të gjitha procedurat edhe të ankimimit e procedurat tjera
. “Është fjala për raste të veçanta, edhe me procedurën e ankimimit të shkallës së parë dhe të shkallës së dytë e cila duhet të sqarohet më mirë dhe të definohet me këtë rregullore, të cilat pastaj pas aprovimit do të hyjnë në tekst dhe do ta nënshkruajmë tekstin e rregullores”, tha kryeministri Isa Mustafa.