Lajmet e fundit

Ja cilët janë deputetët e koalicionit, që nuk do ta votojnë Thaçin për President!

Zëvendëskryeministri i tanishëm i Kosovës, Hashim Thaçi, si duket nuk do ta ketë fort të lehtë të zgjedhet President i vendit.  Kjo pasi, ai nuk e ka përkrahjen e disa deputetëve brenda koalicionit, e si rrjedhojë, as votën e tyre. Disa deputetë të LDK-së, tanimë janë deklaruar haptas se nuk do ta votojnë Hashim Thaçin për këtë post, raporton Gazeta Blic

Adem Salihaj

Një nga këta, është Adem Salihaj, i cili për të disatën herë me radhë e ka pohuar të njëjtën gjë, që nuk do t’ia japë votën të parit të PDK-së për këtë post. Ai dje, ka deklaruar për Gazetën Blic, se ka marrë një vendim të tillë, pasi Thaçi nuk është personi i duhur për të ardhur në këtë pozitë.

“Zgjedhja e presidentit të Kosovës do të jetë mjaft problematike. Siç dihet, tashmë disa deputetë kemi deklaruar se nuk do ta votojmë Thaçin për president. Pavaresisht marrëveshjes së koalicionit, ne i kemi parimet tona mbi të cilat nuk mundemi  të kalojmë. Thaçi,nuk është figura e duhur për president të Kosovës”, ka deklaruar ai për Gazetën Blic”

Arben Gashi

Njëjtë sikur Salihaj, qe shprehur edhe deputeti Arben Gashi, i cili në nëntor të këtij viti, pati njoftuar publikun se nuk ka  ndërruar qëndrim lidhur me këtë çështje.

“Ende s’e kam ndryshuar vendimin tim, s’do të votoj për Thaçin si President”, pati thënë Gashi për Rrokum Roll.

Vjosa Osmani

Mendimit për të mos e votuar të parin e PDK-së për President, i qe bashkuar edhe deputetja më e votuar femër, Vjosa Osmani,  e cila pati thënë se Hashim Thaçi nuk do t’i ketë numrat e nevojshëm në Kuvend.

“E kam thënë dhe vota ime është publike. Ditën që zoti Thaci të kandidojë për president në Kuvend nuk do të ketë kourum për zgjedhjen e tij. Opozita ka thënë se nuk do të merr pjesë, si dhe shumë deputet të LDK-së”, qe shprehur ajo në maj të këtij viti, në “Argument Plus” të RTV21.

Armend Zemaj

Përpos këtyre, Hashim Thaçi nuk do ta ketë as votën e deputetit të LDK-së, Armend Zemaj.

Ai gjatë muajit shkurt të këtij viti, qe shprehur i bindur se nuk do t’ia japë votën Thaçit. Kjo, pasi siç pati theksuar ai për Rrokum Roll, me këtë veprim do të dilte kundër vullnetit të votuesve të tij.

Alma Lama

Edhe deputetja tjetër e këtij subjekti, Alma Lama, ka bërë të ditur se votën e saj nuk do të mund ta marrë zëvendëskryeministri i tanishëm. Ajo gjatë një interviste dhënë Gazetës Blic, tha dje se nuk e votoi as Qeverinë e Mustafës, e njëjtë do të veprojë edhe me Thaçin.

“Sa për votën time, meqenëse jeni kuriozë po e deklaroj: nuk e kam votuar qeverinë edhe pse kryeministër ishte kryetari i partisë sime, një gjë që shumë pak veta guxojnë ta bëjnë, për shkak të koalicionit me PDK-në. A nuk do të ishte e logjikshme të mos e votoja Thaçin për president, për të njëjtat arsye?”, deklaroi ajo për Gazetën Blic.

Anton Quni

Me një vendosmëri të tillë, është shprehur edhe deputeti Anton Quni, me ç’rast në janar të këtij viti për emisionin “Forum”, qe deklaruar se nuk ka arsye ta votojë Thaçin, pasi sipas tij, ka persona më të mirë se ai.

“ Unë kam një bindje se shoqëria jonë mund të ofrojë persona që kanë kredibilitet shumë më të lartë dhe një profil më të lartë politik, moral, intelektual, se Hashim Thaçi dhe deri sa të ekzistojë kjo arsye nuk jam në siklet ta votoj. Dhe, nuk ka arsye ta votoj”, ka pati thënë deputeti i LDK-së.

Përndryshe, Armend Zemaj e Vjosa Osmani, bashkë me Doruntina Malokun e Fatmir Rexhepin, më 9 nëntor të vitit 2015, patën votuar kundër Kabinetit Qeveritar të Isa Mustafës. Ndërsa, votën nuk ia pati dhënë as deputetja Alma Lama, e cila pati abstenuar.

Leave a Reply

Your email address will not be published.