Për dy muaj Prokuroria Themelore në Gjilan ka ngritur tri aktakuza për kryetarin e Kllokotit Sreçko Spasiq.
Në aktakuzën e datës 21 nëntor 2015 Spasiq akuzohet se me vendim ka emëruar nipin e tij Aleksandar Spasiq ushtrues të detyrës së drejtorit të Shkollës Fillore “Sveti Sava” në Kllokot, edhe pse emërimi i drejtorëve të shkollave është kompetencë e Drejtorisë Komunale të Arsimit.
Për këtë emërim të nipit në drejtim të shkollës, Spasiq akuzohet për konflikt interesi.
Sipas Kodit Penal të Kosovës, nëse një zyrtar përfshihet personalisht në një çështje me interes financiar për veten, ndonjë anëtar të familjes, ose ndonjë person juridik, ai dënohet me gjobë, ose me burg deri në 3 vjet.
Abdylaziz Sadiku, avokati i kryetarit të Kllokotit Sreçko Spasiq, tha për KALLXO.com se aktakuza për konflikt interesi është hedhur poshtë nga Gjykata Themelore në Gjilan pas kundërshtimeve të tij.
Një aktakuzë tjetër ndaj kryetarit Spasiq është ngritur nga Prokuroria Themelore e Gjilanit më 25 dhjetor të vitit të kaluar.
Në këtë aktakuzë Spasiq ngarkohet për keqpërdorim të autoritetit apo pozitës zyrtare, cenim të të drejtave në marrëdhëniet e punës dhe mosekzekutim të vendimeve gjyqësore.
Aktakuza lidhet me dy aktvendim të nxjerra nga kryetari Spasiq më 3 shkurt 2014 me të cilin ai largoi nga puna Trajan Stojanoviqin dhe Bozhidar Dejanovin, sipas aktakuzës pa arsye ligjore edhe pse Stojanoviq e Dejanov kishin kontratë pune deri 2 shkurt 2015.
Stojanoviq ishte drejtor në Shkollën Fillore “Marko Rajkoviq”, ndërsa Dejanov ishte drejtor në Shkollën Ekonomiko-Teknike.
Aktakuza e 25 dhjetorit 2015 akuzon kryetarin e Kllokotit Spasiq se me vetëdije nuk ka zbatuar vendimet e Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës dhe Gjykatës Themelore në Gjilan-Dega në Viti, në të cilat vendime u kërkua kthimi në punë i dy drejtorëve.
Gjykata në Viti kishte vendosur që dy drejtorëve përveç kthimit në punë duhet t’u bëhet kompensimi i të ardhurave personale në vlerën e 13 mijë e 500 eurove.
Për keqpërdorim të detyrës zyrtare dënimet sipas Kodit Penal të Kosovës janë nga 6 muaj deri në 5 vjet, për cenim të të drejtave në marrëdhëniet e punës shqiptohen dënime me gjobë, ose me burgim prej një viti, ndërsa për mosekzekutim të vendimeve gjyqësore dënimet sillen nga gjobitja deri në 2 vjet bur e te shkeljet më të rënda dënimi është vetëm me burg nga 6 muaj në pesë vjet.
Në një aktakuzë tjetër të 2 dhjetorit 2015, kryetari i Kllokotit akuzohet për emërimin e Hasan Rashitit zëvendëskryetar, edhe pse sipas kësaj aktakuze e ka ditur që emërimi i Rashitit është i jashtëligjshëm pasi që nuk janë përfillur procedurat në kuvendi komunal.
Me këtë prokuroria pretendon se i është shkaktuar dëm kësaj komune në vlerën e 3 mijë e 200 eurove. Në këtë aktakuzë Spasiq ngarkohet edhe për mosekzekutim të vendimeve gjyqësore pasi më 10 shkurt 2014 i kishte anuluar 23 vendime nga marrëdhënia e punës në Shkollën Fillore “Marko Rajkoviq” si dhe duke larguar dy punëtorë ndihmës në shkollën “Sveti Sava”.
Për këto largime prokuroria ngarkon Spasiqin se shkaktoi 36 mijë euro suficit buxhetor.
Abdylaziz sodiku, avokati i Sreçko Spasiqit tha për KALLXO.com se do të kundërshtojë dy aktakuzat e dhjetorit ndaj klientit të tij, ndërsa bëri të ditur se Spasiq ndihet i pafajshëm.
Për ta pyetur për këto aktakuza KALLXO.com kontaktoi edhe me Spasiqin, por ai nuk u përgjigj.