Lajmet e fundit

Ja deklarata e plotë e Policisë për gaz lotsjellësin

Policia e Kosovës ka demantuar fuqishëm deklaratën e dhënë sot në media lidhur me atë se Policia ka ndihmuar opozitën për sigurimin dhe futjen e gaz lotsjellësit në Kuvend.

Lexoni më poshtë sqarimin e plotë të Policisë së Kosovës

“Policia e Kosovës, si institucion i zbatimit të ligjit, lidhur me mbajtjen e seancës së Kuvendit të Republikës së Kosovës, si dhe bazuar në vendimin e kryesisë së Kuvendit të Republikës së Kosovës, ka bërë planifikimet e nevojshme policore, duke ndërmarrë masat e nevojshme ligjore për ofrimin e sigurisë dhe ushtrimin e kontrollit, bazuar në procedurat e parapara ligjore dhe rregulloren e Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Policia e Kosovës njofton të gjithë opinionin e gjerë se shkrimet e publikuara sot në disa portale, që i referohen deklarimeve të shefit të grupit parlamentar të lëvizjes Vetëvendosje se kinse Policia e Kosovës i ka ndihmuar në futjen e gazit lotsjellës në sallën e Kuvendit të RKS-së, nuk qëndrojnë dhe nuk janë të vërteta.

Deklarata e z. Konjufca është tendencioze për të diskredituar profesionalizmin e Policisë së Kosovës dhe në asnjë rrethanë mjeti i dyshuar nuk është futur në seancë me ndihmën e Policisë së Kosovës, ashtu siç është deklaruar.

Deklarimi i tillë, po ashtu ka për qëllim të krijojë konfuzion te qytetarët dhe opinioni i gjerë dhe kjo mund të konsiderohet një luftë speciale kundër Policisë së Kosovës.

Bazuar në kompetencat dhe autorizimet ligjore që ka Policia e Kosovës, janë kryer të gjitha veprimet ligjore të kontrollit ndaj të gjitha personaliteteve dhe nuk është hasur në asnjë element apo mjet të dyshuar.

Ekziston mundësia e posedimit dhe përdorimit të këtij gazi lotsjellës, nga mbledhja e mbeturinave plastike të mbetura nga gazi lotsjellës i përdorur më parë nga Policia e Kosovës, por që mbeten të verifikohen të gjitha nga njësitet relevante policore, sepse mjeti plastik mund të mos jetë detektuar.

Ndërsa, sa i përket rrethanave dhe situatës së krijuar në sallën e Kuvendit të RKS-së, ku është hedhur mjeti i dyshuar, Policia e Kosovës pas përfundimit të seancës në konsultim dhe koordinim me prokurorin kompetent do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme ligjore për hetimin dhe verifikimin e mjetit të dyshuar.

Policia e Kosovës është duke ndërmarrë veprimet e saja hetimore drejt zbulimit se si është futur mjeti i dyshuar në sallën e Kuvendit të Kosovës.

Leave a Reply

Your email address will not be published.