Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë, për veprën penale “Mashtrimi në detyrë”, kundër të pandehurve Enver Hasani, ish rektor i Universitetit të Prishtinës Hakif Veliu, ish shef i zyrës së prokurimit në UP dhe Albert Ragipi drejtor i Institutit për Studime Ndërkombëtare nga Tirana.
Sipas aktakuzës Enver Hasani, Hakif Veliu dhe Albert Ragipi, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për Institutin për Studime Ndërkombëtare në Tiranë, kanë falsifikuar kontratën origjinale “Përkthimi i librave nga gjuha angleze në gjuhën shqipe, për nevojat e Universitetit të Prishtinës”.
Një fakt të tillë e dëshmon edhe aktakuza prej 18 faqesh e ngritur ndaj tyre.
Sipas marrëveshjes paraprake, të pandehurit kanë hartuar një kontratë të re, në të cilën kanë shfrytëzuar numrin e njëjtë të protokollit dhe datën e njëjtë të kontratës origjinale, duke ndryshuar nenin 17 të kontratës, ashtu që në vend të çmimit 12.65€ për 1000 fjalë kanë shënuar çmimin 12.65€ për 1000 karaktere. Në këtë mënyrë të pandehurit i kanë mundësuar Institutit për Studime Ndërkombëtare nga Tirana përfitim kundërligjor në shumën prej 70.426,90€.
Kontratën e falsifikuar, më datën 13 dhjetor 2008, i pandehuri Enver Hasani, e ka dërguar në Tiranë tek i pandehuri Albert Rakipi, i cili e ka nënshkruar dhe vulosur atë në emër të Institutit. Duke e shfrytëzuar kontratën e falsifikuar i pandehuri Albert Rakipi, më datën 13.07.2009, e ka dërguar në Universitetin e Prishtinës, faturën për përkthimin e librave të llogaritur sipas njësisë matëse “karaktere” në shumë të përgjithshme prej 87,541,80 euro, të cilën pagesë e ka lejuar i pandehuri Hakif Veliu.
Gjithashtu, më datën 02.12.2009, i pandehuri Albert Rakipi ka dorëzuar në Universitetin e Prishtinës edhe një faturë për përkthimin e njëmbëdhjetë librave, të llogaritur sipas njësisë matëse “karaktere”, në shumë prej 299.488,75€, e cila faturë nuk është paguar, dhe për të cilën ISN-ja pretendon se UP-ja i ka borxh.
Me çka të pandehurit në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale: “Mashtrimi në detyrë”, nga neni 341 par. 3 lidhur me par. 1, lidhur me nenin 23 të Kodit Penal të Kosovës.
Aktakuza është ngritur nga një prokurore vendëse e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, e cila i ka propozuar gjykatës që të pandehurit të shpallen fajtorë për veprën e kryer penale dhe të dënohen sipas ligjit, si dhe ka kërkuar që Instituti për Studime Ndërkombëtare nga Tirana t’ia kompensojë Universitetit të Prishtinës dëmin në shumën prej 70.426,90€.
