Lajmet e fundit

Ja sa kërkesa ka FSHF për bileta në Euro 2016

Në “luftë” për një biletë Europiani. Mijëra kërkesa kanë mbërritur në FSHF për të marrë një biletë për në Europian.

Edhe pse institucioni i futbollit do të ketë të drejtë të marrë një pjesë të vogël biletash, ajo sërish nuk do të mundet të plotësojë kërkesat e dëshirat e tifozëve shqiptarë.

Vetëm një pjesë e vogël do të kenë mundësi të marrin një biletë nga federata, pa pritur shansin dhe lotarinë e blerjes online.

Pjesa tjetër është e dënuar që të kërkojë e të marrë një biletë sipas rrugëve zyrtare dhe më pas në tregun e zi. FSHF aktualisht ka 20 mijë kërkesa për tre ndeshjet e sigurta dhe deri në prag të eliminatoreve gjërat do të përkeqësohen.

Kështu që tifozëve normalë u mbetet vetëm rruga zyrtare. Nga data 10 qershor, deri më 10 korrik të vitit 2015, UEFA ka pasur afatin për të bërë aplikimet mbi biletat e ndeshjeve të Evropianit.

Gjithsej në dispozicion do të jenë 1 milion bileta përgjatë gjithë garës. Në përfundim të afatit (10 qershor-10 korrik), organi drejtues i futbollit në kontinent nxori të dhënat e tij. Ka pasur plot 11 milionë e 264,142 kërkesa për bileta përgjatë një muaji. Ato kanë ardhur nga 209 shtete të ndryshme, por 41% kanë qenë nga vendi organizator, Franca.

Tri ndeshjet më të kërkuara kanë qenë: finalja (1.2 milionë aplikime), ndeshja hapëse (650 mijë) dhe çerekfinalja e datës 3 korrik (550 mijë) që do të zhvillohet në stadiumin “Stade de France”, shkruan “SportPress.al”.

Tifozët që janë shpallur fitues, do të njoftohen me e-mail. Faza e dytë e shitjes së biletave do të nisë pas datës 12 dhjetor, kur do të hidhet edhe shorti. Pasi të mësohen se si do ndahen grupet, datat e ndeshjeve dhe stadiumet respektive, do fillojë edhe faza tjetër e shpërndarjes së biletave. Secili ekip pjesëmarrës do të ketë një përqindje të caktuar në stadium, me bileta për tifozët e vet.

Burimet zyrtare në FSHF konfirmuan ditën e djeshme se përqindja nuk është caktuar akoma specifikisht nga UEFA. Gjithsesi, ndarja e biletave nuk do të jetë vetëm një zonë të stadiumit, ku do të pozicionohen tifozët e zjarrtë. Por, do ketë mundësi edhe për zonat mikse. Do të jetë UEFA ajo që do nxjerrë në faqen e saj mundësinë për të aplikuar për biletë.

Në këtë rast, Federata Shqiptare e Futbollit do ketë një rol asistues, për të ndihmuar në mirë organizimin e tifozëve apo përzgjedhjen e tyre.

Për shkak të fluksit të madh të kërkesave, ekziston mundësia që vetë UEFA të praktikojë një short elektronik për të caktuar “të “përzgjedhurit” që do të kenë fatin të ndjekin ndeshjet në stadium. Numri i biletave për tifozëritë e skuadrave pjesëmarrëse, do të jetë i njëjtë për secilën nga dy ekipet që do përballen.

Gjithsesi, do të jetë varësi edhe kapaciteti i stadiumit. Sa më i madh, aq më i lartë do jetë edhe numri i biletave në dispozicion. Në linkun që do të ofrojë UEFA, secili mund të shkruajë gjeneralitetet dhe të bëjë rezervim nëpërmjet kartës së kreditit. Më pas, do të njoftohet nëse ai ka arritur të jetë përzgjedhur për të marrë një biletë apo jo.

Çdo biletë do të jetë e personalizuar me emër e mbiemër dhe maksimumi që mund të marrë një individ, janë katër bileta, për katër ndeshje të ndryshme të garës.

Gjithsesi, në pritje janë më shumë 7 milionë shqiptarë anembanë botës për një biletë. Jo të gjithë do të kenë mundësi që të marrin një biletë. Dikush do të ketë fatin ta marrë nga FSHF, ndërsa të tjerët, më 12 dhjetor duhet të mësyjnë faqen e UEFA-s.

Në të kundërt duhet të blejnë një biletë në tregun e zi… si zakonisht.

Leave a Reply

Your email address will not be published.