Në një dokument të nënshkruar rreth 11 vjet më parë nga ministra e emra të rëndësishëm të skenës politike sot, unanimisht kishin kërkuar nga krerët institucional dhe nga shefi i atëhershëm i Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Soren Jessen Peterssen, që urgjentisht dy ministritë e Kosovës asokohe në formim, ajo e Punëve të Brendshme dhe e Drejtësisë që të vendosen në qytetin e Mitrovicës. Njëra në njërën anë të lumit Ibër, ndërkaq tjetra në anën tjetër të Ibrit.
“Me qëllim të inkurajimit të integrimit të qytetit të Mitrovicës dhe të injektimit për zhvillim ekonomik, ne të poshtëshënuarit kërkojmë me ngulm që të dy ministritë e Kosovës në formim (e Punëve të Brendshme dhe e Drejtësisë) të vendosen në qytetin e Mitrovicës, (njëra në njërën anë të lumit Ibër, dhe tjetra në anën tjetër të lumit Ibër)”, thuhet në kërkesën e nënshkruar, raporton Indeksonline.
Letra kërkesë i ishte drejtuar ish shefit të Misionit të Kombeve të Bashkuara (UNMIK), Soren Jessen Peterssen, Presidentit të atëhershëm Ibrahim Rugova, ish kryeministrit Bajram Kosumi, si dhe kryetarit të Kuvendit të atëhershëm Nexhat Daci.
Ndërkaq, ish ambasadori amerikan Philiph Golberg, kishte kërkuar që e njëjta letër – kërkesë t’i dërgohet edhe atij në e-mailin zyrtar.
Mirëpo kjo letër kërkesë, nuk u shqyrtua asnjëherë dhe nuk mori përgjigje. U përcjell krejt në heshtje nga ata ndaj të cilëve ishtë parashtruar kërkesa unanime.