Kryetari i Komisionit Qeveritar për përcaktimin e vijës kufitare me Malin e Zi, Murat Meha është sulmuar me vezë nga aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje. Lajmin e kanë bërë të ditur vetë zyrtarët e VV-së, përmes një postimi në Facebook.
Në vazhdim ndiqeni të plotë njoftimin e VV-së dhe videon kur Meha sulmohet me vezë:
Goditet me vezë Murat Meha
Aktivistët e Lëvizjes VETËVENDOSJE! e goditën me vezë sot Murat Mehën, Kryetarin e Komisionit qeveritar për caktimin e vijës kufitare të Kosovës me Malin e Zi.
Ai si Kryetar i atij komisioni, ka bërë lëshime të mëdha, me ç’rast mbi 8 mijë hektarë tokë të Kosovës ia ka dhënë Malit të Zi. Si rezultat i marrëveshjeve të tilla që dëmtojnë rëndë sovranitetin e Republikës së Kosovës, shteti jonë tash e sa muaj është në krizë të thellë politike. As pas konstatimeve të ekspertëve se marrëveshja për demarkacionin është gabim, ky milioner i Qeverisë së Kosovës nuk reflektoi.
Aksionet dhe protestat tona nuk do të ndalen, deri në tërheqjen e marrëveshjeve të dëmshme, dhe deri në largimin e kësaj qeverie. Deri atëherë, përgjegjësit për këto dëme nuk do t’i lëmë të qetë.