Lajmet e fundit

Ja si u shua ëndrra e emigrantit kosovar, për jetë më të mirë

Edhe pse kishte mësyrë Evropën me shpresën e madhe për të gjetur një jetë më të mirë, familja pesë anëtarëshe e M. Mehmetit, pa u bërë as një vit qëndrimi në kampet e azilit në Gjermani, u kthye mbrapsht për në Kosovë.

Kjo familje Vitin e Ri 2015 e kishte pritur në kampin në Mynih të Gjermanisë, por kryefamiljari saj thotë se ishte më i lumtur se tani, pasi shpresonte për një jetë më të mirë. Me kthimin e tyre në Kosovë thotë se u shua edhe shpresa për këtë dhe iu kthye jetës së vjetër, me vuajtje dhe vështirësi për të mbijetuar.

Mehmeti, i cili i lodhur nga skamja që e kishte kapluar dhe nga barra që kishte për ta mbajtur familjen e tij, në një mbrëmje të dhjetorit të 2014, kishte marrë rrugën siç e quan të pikëllimit, por edhe të shpresës për një jetë më të mirë.

Por, pa u bërë ende një vit, ai dhe familja e tij, në shtator u kthye mbrapsht nga autoritetet gjermane.

Mehmeti rrëfen për KosovaLive për qëndrimin e tij në Gjermani, por edhe për kthimin e tij në Kosovë.

Nuk i ka harruar peripecitë e rrugën që kishte marrë për në Evropë e as maltretimet që iu bën në kampin hungarez. Por, ai thotë se me gjithë maltretimet e shumta që ka pasur ai dhe familja e tij, do të kërkojnë përsëri rrugë për të ikur nga Kosova.

“Fillimisht kemi qëndruar në një kamp hungarez. Aty na kanë pritur shumë keq. Edhe bukën na e gjuanin sikur të ishim qen. Aty ka pasur shumë njerëz, ka pasur arab, e kinez e gjithfarë. I tërë kampi kundërmonte, ishte tmerr. Por, u mundoja të përbija këtë për shkak të fëmijëve dhe të kujdesem që ata të mos kenë frikë”, rrëfen M. Mehmeti, duke iu dridhur zëri tek tregonte këto momente pikëlluese për të dhe familjen e tij.

Ai kishte arrit që të ikte nga ky kamp bashkë me familjen e tij dhe nga Hungaria të shkonte në Austri, e pastaj në Gjermani.

“Pasi arritëm në Gjermani, u lajmëruam në një kamp azili, në Mynih. Atje na dërguan në një periferi të qytetit. Ishte një vend më malor. S’kishte as dyqane afër. Por, vendi ishte i mirë. Na dhanë dy dhoma. Kishim ushqim të mjaftueshëm dhe nuk hiqnim për asgjë”, tregon Mehmeti.

Si shumë të tjerëve, pas intervistave që i ftonin, edhe Mehmetit iu refuzua kërkesa për azil. Por, u mundua që ta shtynte atë, duke vazhduar qëndrimin edhe për pak muaj.

Nga një kamp në tjetrin familjes Mehmeti po i kalonin ditët dhe erdhi koha që ata të ktheheshin në Kosovë. Edhe pse në këtë vend kishin shtëpinë dhe familjen e gjerë që i priste, ata thonë se nuk u gëzuan për kthimin në Kosovë, por u pikëlluan tejmase, sepse iu përmbyt shpresa e madhe që e kishin për një jetë më të mirë.

“Kur na thanë se duhet të kthehemi mu duk se mu këputën dy këmbët, kjo pasi nuk arrita të punojë e të sigurojë ndonjë para që të kthehem në Kosovë e të bëjë diçka. Por, mundësi tjetër nuk kisha”, tregon Mehmeti, i dëshpëruar nga kthimi.

Ai thotë se me t’u kthyer në Kosovë u kthye mbrapshtë edhe shpresa për një jetë më të mirë për të dhe familjen e tij.

Ai përshkruan me pak fjalë edhe kthimin e tij në Kosovë.

“Kur u kthyem dera e shtëpisë ishte e mbyllur, ashtu si edhe e kishim lënë. Por, pasi askush nuk jetonte në të, ajo kishte marrë një erë të keqe dhe gjithçka dukej e zymtë”, thotë ai, duke shtuar se e zymtë i dukej edhe jeta e tij.

Mehmeti angazhohet që të gjejë një vend të ri të punës, por shpresat për këtë i ka të pakta.

Rasti i familjes Mehmeti është vetëm një nga rastet e shumta të kosovarëve që lanë vendin, pas shpresave për një jetë më të mirë, shpresë kjo që për disa shumë shpejt u përmbys.

Mbi 17 mijë kosovarë nga rreth 110 mijë që braktisën Kosovën gjatë valës së madhe të fundvitit 2014 dhe fillimvitit 2915 janë kthyer mbrapsht gjatë vitit 2015 nga vendet e ndryshme evropiane ku kishin kërkuar azil. /kosovaLive/

Leave a Reply

Your email address will not be published.