Ish ministri i Kthimit dhe Komuniteteve në Qeverinë e Kosovës, Aleksandar Jabllanoviq ka thënë për Indeksonline se ai nesër (e mërkurë) nuk do të udhëtojë në Gjakovë bashkë me pelegrinët serbë për festën e krishtlindjes ortodokse.
“Unë nesër do të jem në vendlindjen time për krishtlindje dhe nuk jam i interesuar për kurrfarë provokimi”, ka thënë Jabllanoviq, duke shtuar se ai do të festojë me familjen e tij dhe se kjo është festë e paqes.
Ka qenë pikërisht një vit me parë deklarata e Jabllanoviqit në Gjakovë që nxiti reagime të shumta nga qytetarët që çuan në dorëheqjen e tij.
Ai i kishte quajtur “egërsira” familjarët e personave të zhdukur shqiptarë, të cilët po mundoheshin ta pengonin vizitën e pelegrinëve serbë në këtë qytet me rastin e krishtlindjes ortodokse. /